Nesër pritet të finalizohet udhëzimin administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit. Institucionet e Kosovës vazhdojnë të besojnë se kjo do të jetë rruga më e mirë për largimin e kryetarëve të katër komunave të veriut, veprim ky që do t`i hapte rrugë organizimit të zgjedhjeve të reja.
Por, shoqëria civile dhe opozita nuk po pajtohen më këtë rrugë.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë me dije se drafti i udhëzimit administrativ i tejkalon kompetencat ligjore.
Përmes një reagimi, ky institut ka vlerësuar se hartimi i këtij udhëzimi është përcjell me mostransparencë.
“KDI edhe më parë kishte vënë theksin tek rëndësia që udhëzimi administrativ të jetë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore. Megjithatë, vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi”, është thënë në reagimin e KDI-së.
KDI ka treguar në detaje problemet e udhëzimit administrativ.
“Specifikisht, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar. Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit”, ka vlerësuar KDI.
Sipas institutit, udhëzimi është i pamjaftueshëm për largimin e kryetarëve.
“Prandaj, në këto rrethana, KDI rithekson që udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kësisoj, KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime”, ka vlerësuar instituti.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot gjatë ditës ka komentuar udhëzimin administrativ në fjalë.
Ajo ka bërë me dije se ky udhëzim administrativ do të jetë gati për 1 shtator.
Sipas saj, pas këtij veprimi BE-ja duhet t`i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Dakoridmi i Kosovës me BE-në ka qenë që obligimet që dalin nga marrëveshja e Bratislavës do të jenë të mjaftueshme që të hiqen masat. Kjo nënkupton krijimin e bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, bazë ligjore e cila do të jetë gati më 1 shtator. E dyta kërkohet që të bëhet deesakalimi nëpërmjet reduktimit gradual të policisë, gjë që tashmë ka ndodhur dhe e treta kërkohet natyrisht konstruktivitet në dialog, zbatim i marrëveshjeve dhe kjo do të vijoj të ndodh përgjatë takimeve që pritet të mbanë në shtator e tutje edhe në nivel të kryeministrit që e përfaqëson Kosovën në dialog, por edhe në nivelit e kryenegociatireve që do të jenë takimeve të vazhdueshme”, ka thënë Osmani.
Partitë politike opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që rruga me e mirë për Kosovën është dorëheqja e kryetarëve aktual në veri.
Javë me parë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim për caktimin e një Grupi Punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit.
Në dokumentin e nënshkruar nga ana e ministrit Elbert Krasniqi ky grup e ka zgjedhur kryesues z. Besim Myrtezani, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin e Flurim Arifin.
Grupi do ta ketë përgjegjësinë për “hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.”
Afati që i është dhënë është deri më 1 shtator. Deri me tani ky grup ka mbajtur disa takime.
/TV Malisheva