Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qeverisjen e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për mossigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.
Deputeti i LDK-së, Abdixhiku përmes një video në Facebook, ka paraqitur rastin e dy prindërve nga Prishtina dhe siç thekson, përpjekjes së mundimshme të tyre për t’i siguruar librat e klasës së tretë.
“Nga afër përcollëm përpjekjen e tyre. Do të duhej të kishin brenga tjera, dhe mesiguri kanë shumë, por shteti i tyre, dhe i yni, ka vendosur të ngarkojë secilin prind me detyra të vet shtetit – blerjen e librave. Pamjet që po i shihni janë pamje të përpjekjes së përditshme të prindërve kosovarë të cilët, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë, u bënë subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme, tërësisht të panevojshme dhe të krijuara nga vet qeveria.
“Ironikisht, nën paranojën e përfitimeve të biznesit, pushteti popullist kishte dështuar një proces që çdo vit kryhej krejt normalisht. Ironikisht, në gjithë këtë proces, të vetmit përfitues mbetën pikërisht këto biznese. Në fund, librat u blenë te ata. Dhe, siç kuptuam nga vendimi i vet Qeverisë, në vend të 4.8 milionëve tani do t’i përfitojnë mbi 6 milionë euro si subvencionim. Paaftësia pra kushton. Paranoja dhe më shumë. Por sot, çfarë na kushton më së shumti është koha. Ajo po na rrëshqet para syve”, ka thënë Abdixhiku.
Po ashtu Abdixhiku ka shkruar se në vitin 2023, do të duhej të flisnim për digjitalizim të shkollave, për klasë me 20 nxënës, për kodimin si lëndë obligative, si dhe për intelegjencën artificiale si subjekt mësimi.
“Do të duhej të flisnim për fëmijët tanë si forcë moderne që bën të ardhmen tonë. Në vend të kësaj, po merremi – merreni me mend – me blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve. Do të merremi me ballafaqime të tilla sepse është mendësia e mospunës, ankesës e paranojës që s’lë shtetin e shoqërinë të bëjë zhvillim. Prandaj, e djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja”, ka thënë në fund Abdixhiku.
/TV Malisheva