Policia e Kosovës ka dhënë statistika për pasojat vdekjeprurëse në trafik, e ku përfshihen edhe fëmijët, për të cilët ka theksuar se siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët.
Me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët sërish bëhen pjesëmarrës aktivë në trafik.
“Ne e dimë që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët. Në vitin 2022 në trafik jetën e kanë humbur 106 persona, prej tyre 5 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 7 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeçare dhe 94 kanë qenë mbi moshën 19 vjeçare. Në vitin 2022 në trafik janë lënduar 14,714 persona, prej tyre 787 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 962 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeçare dhe 12,965 kanë qenë mbi moshën 19 vjeçare. PËR TË MINIMIZUAR KËTO SHIFRA DHE PËR TË KONTRIBUAR PËR SIGURINË E TË GJITHË PJESËMARRËSVE NË TRAFIK VEÇANËRISHT TË FËMIJËVE, PËRGJEGJËS JEMI TË GJITHË”, thuhet në reagimin e Policisë.
Kurse, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka ndërmarrë një sërë masash ligjore për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë në trafik afër shkollave.
“Në kuadër të kësaj ka hartuar planin operacional ,,Siguria në shkolla’’, plan i cili parashikon hapa konkret për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin e shkollës, duke përfshirë bashkëpunimin e policisë dhe angazhimin e komunitetit shkollor. Me këtë rast është planifikuar që në të gjitha shkollat dhe përreth ambienteve të tyre të ketë prezencë të shtuar të policisë me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal. Nga njësitet e komunitetit në kuadër të gjitha stacioneve policore në nivel të Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan është vendosur bashkëpunim me autoritet edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, drejtorive të shkollave, këshillave të prindërve dhe këshillave të nxënësve duke përcaktuar masa të përbashkëta në implementim të projekteve e fushata vetëdijësuese me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së nivelit të sigurisë në ambientet shkollore. Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan uron të gjithë personelin mësimor, nxënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor”, thuhet në njoftim.
/TV Malisheva