Në arsimin parauniversitar në vend sot më 1 shtator ka nis viti i ri shkollor 2023/24. Për dallim nga viti i kaluar kur pati grevë, këtë vit ka filluar me sfida sa i përket pajisjes me tekste shkollore për nxënësit.

Ndërkaq, prindërit shprehen se 1 shtatori këtë vit është më ndryshe prej viteve të tjera, kur nxënësit pajiseshin me libra nëpër shkolla, meqë sipas tyre po hasin në vështirësi në sigurimin e librave për fëmijët e tyre.

Nëna e një vajze që filloi klasën e parë sivjet, Vjollca Statovci tha se ende nuk i ka blerë librat për vajzën, derisa shton se ende nuk ka aplikuar për subvencionimin e librave si rrjedhojë e problemeve teknike.

“Fillon sivjet klasën e parë…Jo fatkeqësisht, kemi prit edhe prej qeverisë që do të na mundësojë këtë gjë për nxënësit, po që nuk kemi arrit. (Nuk është vendim i duhur) Jo, absolutisht jo, tani ne duhet të japim kosto ekstra derisa të na rimburësojnë ata, po ato familje që nuk kanë, a e mendojnë këtë gjë qeveria. (Nuk kam aplikuar për subvencione) Jo, kemi pasur disa herë pengesa, e kemi lënë ndoshta javën tjetër, ndoshta hapet linku si duhet. Si e vlerësoni sistemin arsimor në Kosovë? Nëse vlerësojmë prej njëshi deri në dhjetë, një shtatëshe të fortë, por ndoshta do të bëhet më mirë”, tha Statovci.

Po ashtu edhe prindi i dy fëmijëve, Genc Gigollaj u shpreh i zhgënjyer me vendimin e Ministrisë së Arsimit, që librat të blihen nga vetë prindërit, derisa kritikoi qeverinë aktuale për mos fokusin e duhur në arsim.

“Vajza është në klasën e tretë ndërsa djali është në klasën e parë, fillon këtë vit. Po, i kemi siguruar, edhe pse ka qenë shumë e vështirë për neve, përkundër angazhimeve që i kemi, por duke e ditur rëndësinë dhe fuqinë e librit, normal kemi marrë mundin. Ky slogan, po mendoj se këtë vit ka qenë si “Çantat bosh, kokën plotë”. Është inekzistente qasja e ministrisë për këto dy vjet. Unë jam i befasuar me qasjen që kanë ndaj shoqërisë që është më e ndjeshme edhe më e vlefshme. Sa kanë kushtuar librat? Nuk është e rëndësishme çmimi, ndoshta po, nuk është edhe aspekti material, por qasja është shumë e rëndësishme. Si e vlerësoni sistemin arsimor në Kosovë? Jo, absolut, unë nuk e di pse kjo qeveri ose ky ndryshim që ka ndodhur nuk e ka në fokus edukimin ose siç ka thanë edhe i madhi Dritëro Agolli “Një njeri i pa edukuar është barrë për shoqërinë gjithë jetën”, tha Gigollaj.

Vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për mos shpërndarjen e librave, e konsideron skandaloz dhe të turpshëm, edhe një prind tjetër, Agron Gashi, derisa shton se ky vendim e ka “prishur” edhe ‘festën’ e 1 shtatorit.

“Natyrisht është ditë feste, për ditën e parë të shkollës, por ka diçka natyrisht që e prishë festën. E para, vendimi i Ministrisë së Arsimit për aplikim dhe mos shpërndarje të teksteve shkollore për prind është shumë shqetësues, imagjinoni unë jam mësimdhënës vetë aplikoj, përveç tjerash, nuk është që nuk di të aplikoj, por përveç tjerash kërkohet që kthehet me vonesë një konfirmim ku duhet bëjeni selfie me letërnjoftim, ja dërgon të gjitha të dhënat dhe fotografitë, dhe pastaj dërgoja. Të dhënat po kërkohen që po më duket shumë shqetësuese. Unë njoh familje dhe njerëz të cilët, kam pasur rastin t’u ndihmoi, nuk kanë rrjet, nuk kanë internet në shtëpi, nuk kanë telefona të mençur, kështu që e ka bërë konfuz dhe kjo është pengesa kryesore. Sot vije një pjesë e nxënësve pa mjete mësimore. Është diçka skandaloze dhe e turpshme”, tha Gashi.

Përveç kësaj, Gashi thekson edhe një problem tjetër, që sipas tij është shqetësues për të si prindër.

“Duke qenë se kjo shkollë bart një emër të madh, emrin “Naim Frashëri”, dhe është një ndër shkollat e zgjedhura, pra një shkollë publike për të cilën po të mos pëlqente nuk do e kisha sjell birin këtu. jo që më pengon ditën e parë, i sjellin që në klasën e parë dhe për të gjithë këta prindër është festë dita e parë e shkollës, dhe kur vijnë shohin këso sloganesh, të cilat janë slogane të pahijshme, slogane rrugaçësh, “danger”, të grupeve të ndryshëm të cilat frekuentojnë këtë shkollë, e cila të krijon pasiguri, pavarësisht se ka një menaxhment dhe mësimdhënës të jashtëzakonshëm, por për dy euro e gjysmë ngjyrë kanë mundur ta mbulojnë të paktën ditën e parë mos të duken këto slogane”, u shpreh Gashi.

Ndërkaq, nxënësit shprehen të emocionuar që do të fillojnë mësimin dhe do të takojnë shoqërinë, derisa tregojnë se çfarë profesionesh kanë dëshirë të zgjedhin në të ardhmen.

Nxënësja e cila nisi këtë vit klasën e parë, Tuana Statovci përmes një poezie shprehu gëzimin e saj për fillimin e vitit shkollor.

“Erdh shtatori sa u gëzova, klasën e parë sa e fillova, erdhi shtatori me gëzim, shkoj në shkollë me nxitim”, Çfarë ke dëshirë të bëhesh kur të rritesh? Mësuese…A ke shoqe këtu? Po. A je e gëzuar që po shkon në shkollë? Po, se kam dëshirë të mësoj shumë”, u shpreh vogëlushja.

Ndërkaq, nxënësit Noar Rreci dhe Amra u shprehën se janë të gëzuar që do të takojnë shokët e shoqet e tyre, dhe se do të mësojnë gjëra të reja.

Ministrja e Arsimit, ka marr vendim për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore.

/TV Malisheva

Share.