Me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) në Kosovë bën homazhe për të gjithë personat që ende nuk janë gjetur dhe shpreh zotim për të vazhduar punën krah për krah me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës për zbardhjen e fatit të mbi 1640 personave, që ende mbesin të pagjetur në Kosovë.
Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, Lars-Gunnar Wigemark, ka bërë të ditur se nga fillimi i mandatit të EULEX-it e deri më tani, Misioni ka kryer 651 operacione në terren për gjetjen e vendndodhjeve të personave të pagjetur, çka ka rezultuar në identifikimin e 456 individëve, përfshirë 311 personave të pagjetur.
“Ne kemi më shumë se 1640 arsye për të vazhduar të punojmë së bashku me homologët tanë nga vendi për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe për dhënin e përgjigjeve familjarëve dhe më të dashurve të tyre, jetët e të cilëve kanë ndryshuar përgjithmonë. Fëmijët, bashkëshortët, prindërit, të afërmit dhe miqtë e personave të pagjetur kanë të drejtë të dinë se çka u ka ndodhur më të dashurve të tyre,” tha Wigemark.
Duke e theksuar rëndësinë e ADN-së për identifikimin e suksesshëm të personave të pagjetur, Shefi i EULEX-it kërkoi nga familjarët e të gjithë personave të pagjetur që të japin mostra të gjakut për analiza të ADN-së.
“Kjo do të lehtësojë procesin e identifikimit,” tha Wigemark, dhe shtoi se EULEX-i gjithashtu do t’iu ndihmojë autoriteteve të Kosovës për shqyrtimin e çështjes së rreth 300 mbetjeve mortore trupore në morgun e Prishtinës.
EULEX-i do t’i fikë dritat në selinë e tij sonte në ora 20:00, në mbështetje të një iniciative nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Integra, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe forum ZDF-Programi në Kosovë për të shënuar Ditën Kombëtare për Personat e Pagjetur me sloganin “Për 20 vjet në terr – në ora 20:00 ndali dritat për 2 minuta”./ Tv Malisheva