Të shkëlqyera i ka konsideruar presidentja Vjosa Osmani, raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo deklaroi se angazhohet për tejkalimin e çdo lloj mospajtimi të momentit mes kryeministrit Kurti dhe Rama. Kështu u shpreh ajo pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për çka tha se kryefjala e kësaj vizite është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se askush nuk mund të çuditet pse Kosova është prioritet kombëtar dhe se në të gjitha takimet e tij ka kërkuar njohjen e Kosovës. Ai u shpreh se Kosova duhet të ketë koordinim të ngushtë dhe më të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, qw të bëhet zë në të gjitha instancat ndërkombëtare.
“Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. Siç e dini, dy muaj më parë, shtetet tona nënshkruan edhe 13 marrëveshje në fusha të ndryshme nga siguria, drejtësia, arsimi, kultura e bujqësia. Në dy vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore, ndërinstitucionale. Ato synojnë fuqizimin e shteteve tona dhe njëkohësisht lehtësimin e jetës së qytetarëve në dy shtetet. Bashkëpunimi ekonomik është i një rëndësie të madhe për qytetarët tanë. Prandaj edhe duhet dhe mund ta krijojmë një shkëmbim edhe më dinamik, nga i cili përfitojnë edhe bizneset por edhe qytetarët”, deklaroi Osmani.
Kryetarja e shtetit shtoi se janë të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, të cilat siç tha ajo, po rrezikohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon. Osmani deklaroi se Kosova sot përballet me sfidimin më të madh të sigurisë në 25 vjetët e fundit.
“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë dhe natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo. Dialogu me Serbinë është duke vazhduar por natyrisht që rruga e vetme që sjell paqen, stabilitetin afatgjatë në gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës”, shtoi presidentja e vendit.
Në konferencë për media, Osmani theksoi se synim shtetëror dhe strategjik mbetet anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare.
Tutje, ajo komentoi edhe raportet mes kryeministrave të të dyjave vende, ku tha se relacionet mes të dyja vendeve janë “mes motrash”.
“Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Ne herë i quajmë vëllazërore, por mua më pëlqen t’i quaj relacione mes motrash. Sepse është relacioni më i sinqertë që ekziston. Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë mund të fuqizohen edhe më tej, mund dhe do ta rrisim koordinimin mes nesh. Sepse është në interes të të dyja shteteve, në interes të kombit tonë, por në interes edhe të paqes dhe stabilitetit afatgjatë…Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi, është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.
Megjithatë, ajo komentoi edhe raportet e kreyminstrave Albin Kurti dhe Edi Rama, pwr çka shtoi se çdo diskutim i momentit që mund të ketë involvuar mospajtime është tejkaluar.
“Si presidente angazhohem që të tejkalojmë çdo lloj mospajtimi të momentit që ekziston, por nuk e shoh as si tragjike, as diçka që na pengon të ecim përpara në këtë qëllim të përbashkët, atë që ju e përmendet si diskutime apo acarim”, u shpreh ajo.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se nuk kanë rëndësi mosmarrëveshjet e momentit.
“Nuk ka rëndësi mosmarrëveshjet e momentit. Vizita e presidentes Osmani sot në Shqipëri tregon që ne jemi bashkë për çështje të rëndësishme të interesit ndërshtetëror, por gjithashtu jemi bashkë për të përçuar atë që si komb kemi, frymën evropiane dhe euroatlantike. Rrugëtimi ynë është në një kah, ky rrugëtim është i sigurtë, është i ndryshëm nga Serbia. Nuk mund të vazhdojmë më të mendojmë që jemi në lindje, ne do të vazhdojmë të jemi një në rrugëtimin tonë drejt perëndimit. Nuk mendoj që ka vend për tu shqetësuar, absolutisht ka vend për të përmirësuar këtë koordinim ndërinstitucional që zëri i Kosovës të dëgjohet në çdo forum, në çdo organizëm”, tha ai në konferencë për media.
Ai shtoi se karakteri strategjik i marrëdhënieve mes të dyja vendeve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike.
Presidentja Vjosa Osmani sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë në Shqipëri. Ajo u prit me ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës së Shqipërisë. Ajo do të takohet edhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe me kryeministrin Edi Rama. Po ashtu, do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
/TV Malisheva