Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Kështu u shpreh ai, teksa theksoi se e njëjta është përgjegjëse për privimin e 210 mijë nxënësve dhe mos realizimin e kompetencave ligjore. Tahiri bashkë më anëtarë të Komisionit për Arsim kanë mbajtur konferencë për media pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët, me ç’rast paralajmëruan se do të angazhohen maksimalisht që vendin ta çojnë në zgjedhje.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të ishte e pranishme në seancën e sotme dhe të diskutohej për çështjen e librave.
“Nuk ka gjë më të arsyeshme se sa sot të hapej sesioni vjeshtor në Kuvendin e Kosovës për një çështje që është jetike dhe e prek ardhmërinë e vendit tonë, pra që i prek 210 mijë nxënës që janë e ardhmja e këtij vendi. Sot ju po e shihni që tani e tutje vërtetë nuk ka as edhe një arsye të vetme që kjo legjislaturë ta vazhdojë punën. Janë duke e degraduar Kosovën në secilin rrafsh të mundshëm. Goditja e fundit është goditje që i dhanë arsimit. Dhe sot ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në këtë seancë, ata u turpëruan nga prindërit, nga nxënësit, nga qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse çka do të thonin. Ishte e tmerrshme ajo që dëgjuam në konferencës në arsyetimin e tyre”, tha ai.
Ai deklaroi se do të bëjnë kallëzim penal për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas tij, kjo e fundit ka bërë shkelje penale, për çka, siç tha ai, do të ndiqet penalisht.
“Në buxhetin e këtij viti këta e kanë edhe të buxhetuar. Sot ne do t’i bëjmë kallëzim penal ministres së Arsimit, sepse është përgjegjëse direkte për privimin e 210 mijë nxënësve, duke mos realizuar një kompetencë të saj ligjore. Ne do t’i bëjmë një kallëzim penal ministres në këtë rast. Dhe u bëjmë thirrje të gjithë prindërve që të ushtrojnë kallëzim penal në bazat e tyre private për privimin e fëmijëve të tyre për tekstet shkollore”, shtoi ai.
Për më tepër, shefi i deputetëve të PDK-së tha se do të angazhohen maksimalisht që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Si Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike do të angazhohemi maksimalisht që vendin tonë ta qojmë në zgjedhje. Kësaj legjislature t’i japim fund. Pra, kjo legjislaturë krejt çfarë bën është krijon shpenzime financiare në dëm, në kurriz të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nuk bën as edhe një punë të vetme të mirë për ta, përkundrazi e karakterizojnë dështime dhe probleme jashtëzakonisht të mëdha”, deklaroi ai.
Edhe anëtarja e Komisionit për Arsim nga PDK, Eliza Hoxha tha se shumica parlamentare sot sërish ka ikur nga përgjegjësia. Sipas saj, ikja e parë është nga ministrja Nagavci, e cila nuk ka arritur të përmbush obligimin e saj ligjor.
“Ikjen e parë e kemi parë nga ministrja Nagavci, e cila nuk ka arritur të përmbushur obligimin e saj ligjor që lidhet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe të sigurojë tekste falas dhe fillim të mbarë të vitit të ri shkollor për nxënësit e këtij viti. Krejt kjo rrëmujë, krejt këto abuzime dhe ky pështjellim që është bërë, duke u munduar ministrja që obligimin e saj ligjor ta bart tek prindërit, gjoja se me idenë e rimbursimit ka krijuar një katrahurë dhe një parregullsi të jashtëzakonshme tek të gjithë operatorët që merren me këto shërbime dhe më së shumti shqetësim për prindërit, dhe më së shumti në fakt theksim të pabarazisë të cilën Kushtetuta e Kosovës e bie në pah”, tha ajo në konferencë për media.
Në seancën e sotme, Hoxha tha se është menduar që të kërkohet llogari nga pushteti për çështjen e librave për nxënësit.
“Kjo është shkelje e të drejtave njerëzore që garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe Kartat Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, të cilat i përqafon Kushtetuta e Kosovës dhe normalisht ikja nga obligimi ligjor…Një qeveri e cila me vite, qoftë kur ka qenë opozitë deri sot që është me mandat ka thirrur për barazi të qytetarëve të Kosovës, në fakt elementin kryesor të barazisë tek fëmijët që lidhet me edukimin dhe zhvillimin e tyre sot e ka shpërfillur dhe e ka shkelur qysh në fillim të këtij viti shkollor. Në emër të barazisë, në emër të zhvillimit, kryeministri Kurti bashkë me ministren Nagavci kanë thelluar pabarazinë dhe aspektet materiale të familjeve të Kosovës”, shtoi Hoxha.
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati tha se kjo qeveri është e specializuar për të bërë kaos, ku shtoi se në krye të Ministrisë së Arsimit është një ministre mediokre.
“Në krye të Ministrisë së Arsimit e kemi një ministre mediokre, e cila realisht është edhe simbol i mediokritetit të përgjithshëm që ka kjo qeveri. Krejt kjo ka qenë e planifikuar, kjo që po bëhet kjo “praktika e re” që e quajti zotëri Gola. Nëse është ashtu pse është shpallur tenderi më herët? Këta janë kontradiktorë, këta janë konfuz tërë kohën dhe kjo e karakterizon këtë qeveri. Sinqerisht po të shpallnim një konkurs ndërkombëtar dhe po të kërkonim ndonjë agjenci të specializuar se si të bëhet më kaotik fillimin e vitit të ri shkollor, nuk do të mund të gjenim një të tillë. Këta janë të specializuar për të bërë kaos dhe për të ja vështirësuar jetën qytetarit”, u shpreh ai.
/TV Malisheva