Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Greqia është afër të të njohurit Kosovën.
Në një intervistë për mediumin polak “TVP World”, Kurti ka theksuar se Kosova po punon në planin diplomatik të saj për të arritur njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së.
“Kemi punuar fuqishëm në aspektin diplomatik, që ato t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së. Greqia është e para kur vie në radhën e vende për t’u afruar drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës’, ka theksuar Kurti.
Ky i fundit ka deklaruar se Kosova ka aplikuar për pranim në Bashkimin Evropian dhjetorin e vitit që lamë pas pavarësisht faktit që nuk e njohin pesë vende të BE-së.
Kurti ka deklaruar se dëshira e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian nuk ushqehet vetëm nga interesat vetjake, por se dhe vet Kosova do të donte të kontribonte në BE.
“E bëjmë për vendin tonë duke plotësuar vlerat, standardet dhe parimet, por në të njëjtën kohë, kemi nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian. Gjithëpërfshirja jonë në BE nuk i shërben vetëm interesit tonë sepse edhe ne duam të kontribuojmë”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha gjithashtu se Kosova, duke pasur parasysh kostot e saj të ulëta të funksionimit për sa i përket marrjes me qira të lokaleve dhe fuqisë punëtore, mund të jetë një destinacion ideal për investitorët e huaj.
/TV Malisheva