Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se të premten është intervistuar nga Policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitarit në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.

Ky rast, siç ka thënë ai, ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat komuna si qeverisje i ka trashëguar nga qeverisja e kaluar, raporton Klan Kosova.

“Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës. Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Zogaj të premten në një postim në Facebook.

Institucionet e rendit dhe të drejtësisë janë duke e trajtuar këtë rast, për çka Zogaj ka shtuar se “ne mbesim në dispozicion e tyre, që rasti të trajtohet në plotni në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

Dje (e premte) Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.

Rasti është hapur për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenin 414 të KPRK-së.

/TV Malisheva

Share.