Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se takimi i Kurti-Vuçiq do të fokusohet në planin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi. Ai kërkon nga ndërmjetësuesit e dialogut të mos fokusohen vetëm te themelimi i Asociacionit, por tek implementimi në tërësi i të gjitha pikave të marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Brukselit.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e vendosur për t’i bërë presion Serbisë që ta zbatojë ujdinë.
Ndërkaq, thekson se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës e kanë bërë dialogun të pabarabartë. Rrustemi flet edhe për kërkesat e opozitës për zgjedhje të reja, të cilat i quan joserioze.
Deputeti i mazhorancës thotë se Bashkimi Evropian në takimin e 14 shatorit duhet të ofrojë plan të qartë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
“Unë besoj se do të fokusohet tek plani i veprimit i detajuar dhe senkuencuar i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, për të cilin ne kemi thënë në vazhdimësi që kjo marrëveshje duhet të zbatohet në tërësi dhe në mënyrë të pakushtëzuar dhe menjëherë. Kjo nënkupton se të gjitha ato pika duhet të sekuencohen në mënyrë të drejtë, korrekte dhe gjithëpërfshirëse që garanton zbatim të marrëveshje…Duhet një plan i qartë dhe balancuar që garanton që të gjitha pikat e kësaj marrëveshje dhe obligimet që parasheh respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, njohjen e dokumenteve të Republikës së Kosovës, të simboleve shtetërore duhet të kenë veprime të qarta për t’u zbatuar. Unë besoj se takimi i 14 shtatorit do të fokusohet te plani i senkuencimit”, thotë ai.
Rrustemi është kritik ndaj përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, për të cilin thotë se ka pasur qasje të gabuar në këtë proces.
Mirëpo shpreson se i njëjti është ndërgjegjësuar dhe ka kuptuar se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, bëhet vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes në mirëbesim dhe të pakushtëzuar.
“Uroj të ketë një ndërgjegjësim të fasilituesit që rruga e vetme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është përmes zbatimit në mirëbesim dhe të pakushtëzuar të kësaj marrëveshje dhe njohjes reciproke të Kosovës dhe Serbisë, po ashtu edhe respektimit të ndërtimit të raporteve të fqinjësisë së mirë mbi bazën e Kartës së OKB-së… Ka pasur një qasje të gabuar prej vet ndërmjetësuesit që e gjithë energjia dhe fokusi ishte lokalizuar tek një pikë e vetme e kësaj marrëveshje, e që është interesi ose synimi i Serbisë për themelimin e Asociacionit”, shton ai.
Rrustemi, i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për legjislacion, thotë se masat e ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më shpejtë që është mundur.
Ai shton se të njëjtat po e dëmtojnë Kosovën dhe po e bëjnë dialogun asimetrik.
“Masat kanë qenë të padrejta ndaj Kosovës dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Nuk mund të kemi proces të dialogut në kuptimin e një mjedisi të plotë ku palët dialogun e bazojnë në argumente për sa kohë ka masa mbi Kosovën. Këto e bëjnë procesin e dialogut të pabarabartë përveç që janë të padrejta dhe që e dëmtojnë dhe lëndojnë Kosovën. Besoj se ato duhet të hiqen jo vetëm të pezullohen por të shfuqizohen krejtësisht. Ashtu që jam i bindur se çfarëdo mase shtesë nuk do t’i kontribuonte dialogut”, deklaron Rrustemi.
Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të opozitës, Rrustemi shprehet i ashpër ndaj tyre, ku thotë se të njëjtat s’kanë asnjë kauzë dhe se kërkesat për zgjedhje i kanë joserioze.
Madje ai inkurajon partitë opozitare që nëse i kanë numrat dhe kanë besim në veti të nisin mocionin e mosbesimit.
“Nuk e di se çka po kundërshton opozita. Kur bëhet fjalë për Serbinë sot e ke një pozicion më të ulët se mazhoranca, kjo është e pashembullt. Shikoni opozita kërkon që dhe kryetarët aktual të dorëhiqen. Ndërkohë unë jam deputet i mazhorancës dhe kërkoj që ata mos të japin dorëheqje por qytetarët të tjerë që mendojnë se janë të pakënaqur me ata e kanë mundësinë ligjore për largimin e tyre. Pra opozita do të mund ta ndihmonte qeverinë duke pasur kërkesa më të larta sesa vet qeveria…Mocioni i mosbesimit i përket opozitës, nëse ata kanë besim në vete për një gjë të tillë le ta ndërmarrin, por unë nuk mendoj se e kanë seriozisht. Ata nuk e kanë seriozisht as mocionin dhe as zgjedhjet… Po synojnë të krijojnë një atmosferë artificialisht kinse të mungesës së stabilitetit institucional dhe politik, pa çka se është e kundërta që Kosova në këtë legjislaturë ka stabilitet politik të jashtëzakonshëm”, përfundon Rrustemi.
/TV Malisheva