Kanë kaluar më shumë se një javë që ka nisur procesi mësimor, por shumë nxënës vazhdojnë të mbeten pa tekste shkollore, shkaku i problemeve që po hasin prindërit për të aplikuar në platformën e-Kosova për rimbursimin e mjeteve financiare. Prindërit po ankohen se nuk kanë mundësi të hapin xhirollogari bankare, dhe se librat po kushtojnë më shumë se mjetet që po ekzekutohen nga Ministria e Arsimit. Përveç kësaj, ankesa e tyre ka të bëjë me atë se librat për klasën e gjashtë deri në të nëntën që u jepen nxënësve, janë shumë të dëmtuara.
Një nënë, që ka dashur të mbetet anonim, ka treguar se nuk po mund të aplikojnë për rimbursim të mjeteve përmes e-Kosova, dhe se sipas saj numri kontaktues për të kërkuar ndihmë në këtë platformë, nuk është i qasshëm.
“Platforma E-Kosova nuk po funksionon fare. Ka shumë nëna të cilat kanë probleme, nuk kanë mundësi të hapin llogari bankare për shkak të problemeve personale, ose nuk janë nga Kosova. Pastaj po thonë që mund të aplikoj babai, ndërsa babai nuk është në Kosovë, nuk po them që është jashtë shtetit, është me letra, mirëpo po them ndoshta është në burg, ndoshta është diku pa letra apo diçka… Problemi është tek kjo platforma e-Kosova që mund të thërrasësh tërë ditën në telefon edhe nuk e hapin telefonin. Nëse e kanë bërë një link, e kanë bërë një numër, mund të kërkojmë në ndihmë, ne nuk po mund të kërkojmë ndihmë askund. Kemi probleme, sepse nuk funksionon numri, askush nuk e hap”, tha ajo.
Përveç kësaj, nëna e dy fëmijëve tha se librat që po i marrin nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën janë shumë të dëmtuara, derisa shtoi se mësimdhënësit nuk kanë të drejtë t’i largojnë nxënësit nga procesi mësimor nëse nuk kanë mundësi t’i sigurojnë librat.
“Kam dy fëmijë, mirëpo ata kanë cekë se 50 euro janë për fëmijët për libra dhe 30 euro për mjete. Librat kanë kushtuar 68 euro përafërsisht. Pastaj, prej klasës së gjashtë deri në të nëntën dhe mjetet 30 euro për fletoret. Librat i kanë marrur krejt të dëmtuara, komplet të dëmtuara, tash nuk ka të drejtë një mësimdhënës të kërkojë që një libër t’ia blejë djalit tim. Ai e ka ditur që do t’i vijnë librat e dëmtuara, përse të më kërkoj që të blej librat?… Edhe për librat prej të gjashtës deri në të nëntën le ta dinë asnjë prind nuk do t’i blejë librat. Edhe asnjë drejtor nuk ka të drejtë të më thotë ta përzë prej shkollës nëse vjen pa libra, se mua ndoshta ende nuk më kanë dalë mjetet për t’i blerë librat, ndoshta unë jam nënë vetushqyese dhe nuk mundem me ato 50 euro t’ia kompletoj djalit apo vajzës çantën, fletoret dhe librat të gjitha komplet”, tha ajo.
Se prindërit po hasin në vështirësi për të aplikuar në këtë platformë e pohon edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, derisa thotë se nga gjetjet e realizuara, kanë verifikuar se rreth 60 për qind të nxënësve ende nuk janë pajisur me libra shkollorë.
“Sa i përket informacionit për të vendimit që është marrë, sa i përket teksteve shkollore që të aplikojnë shumica e prindërve nuk kanë xhirollogari, dhe nuk kanë si të aplikojnë, nuk dinë për të aplikuar në e-Kosova dhe ka mungesë të njërit prind, kështu që vetëm e kanë vështirësuar gjendjen e tyre dhe sot diku 30 deri në 60 për qind pas tetë ditëve nuk janë pajisur me tekste shkollore. Sidomos ajo që kanë sjellë vendim tekstet shkollore prej klasës së gjashtë deri në të nëntën, pra tekstet e vjetra, ato janë të përdorura, janë jo të pranueshme për shumë nxënës”, tha Lekaj.
Lidhur me vështirësitë për tu kyçur në këtë platformë, përmes e-mailit MASHT-i ka thënë se platforma e-Kosova po funksionon.
“Platforma e-Kosova funksionon dhe ka 812 mijë përdorues të cilët marrin shërbime. Ndër shërbimet tjera është dhe moduli për tekstet dhe materialet shkollore, aplikimi për të cilin zgjatë shumë pak dhe është shumë i thjeshtë, madje ne kemi publikuar edhe manualet e aplikimit. Shërbimi për mbështetje në e-Kosova ofrohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila po vazhdon të ofroj mbështetje në funksionimin e platformës e-Kosova. Përveç kësaj, nga java e ardhshme do të ofrojmë edhe asistencë fizike në Komuna, për grupin e mbetur të aplikantëve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të aplikojnë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se deri më tani në platformën e-Kosova kanë pranuar rreth 177 mijë aplikime, derisa tregojnë se rreth 130 mijë aplikuesve iu janë ekzekutuar mjetet për librat shkollor.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e 1-9.
/TV Malisheva