Bujqit i kanë korrë e vjelë disa prodhime bujqësore për këtë vit, por shumica prej tyre ende nuk i kanë marrë subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë.

Disa fermerë ankohen se vonesa e subvencioneve po ua vështirëson punën në bujqësi. Ata shprehen se përkrahja nga shteti është e mangët.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci thotë se ekzekutimi i mjeteve financiare për bujqit është në proces, ngaqë sipas tij, janë duke u realizuar edhe kontrollet te fermerët.

Ministri Peci thotë se deri tani në xhirollogaritë bankare të fermerëve kanë dalë 30 milionë euro. Por, i tërë buxheti për bujqit këtë viti sipas Qeverisë, është rreth 100 milionë euro.

“Kanë dalë deri tash 30 milionë euro, ato janë në proces, janë duke u realizuar kontrollet dhe kompensimet …8.9 milionë euro është shuma financiare që ka përfituar Rahoveci vetëm në 2022-të, që do të rritën në 2023” tha Peci.

Fermeri, Mirsad Mazreku thekson se ende nuk i ka marrë subvencionet. Kultivuesi i rrushit ka thënë se shuma e subvencioneve duhet të rritet, sepse kultura e rrushit kërkon shumë investime.

“Subvencionet ende nuk i kam marrë prej Ministrisë Bujqësisë… Kish qenë më mirë të kryhet pagesa më herët, sepse na duhet edhe ndihmë për investime në vreshta…Rrushi edhe vreshtar si kulturë është e vetmja që ka punë më së shumti prej të gjithave kulturave, sepse unë merrem edhe me patate e kultura tjera, por e vetmja kulturë që ka më së shumti punë është rrushi…Në lidhje me subvencione, e vetmja kulturë po ashtu është që nuk është bërë ngritja e subvencioneve…Të ishte kryer pagesa e subvencioneve më herët kish qenë ndihmë edhe me e madhe për bujqit…Mos pagesa e subvencioneve me kohë në muajin e tretë, që ne të investojmë ku duhet, sepse tash është sezoni që shesim dhe na u kishin gjendur pak”, tha Mazreku.

Edhe, fermeri, Shpend Haxhi Mustafa, tha se vonesa e subvencioneve po i shkakton shumë vështirësi edhe në kultivimin e produkteve bujqësore.

“Ende nuk i kemi marrë subvencionet, edhe pse deri tash ish dashtë t’i marrim. Kjo po na pengon edhe në punë, jemi në pritje të lëshohen, sepse kultivojmë gjashtë hektarë e gjysmë rrush”, tha Haxhi Mustafa.

Po ashtu, Anid Hoxha shpreh shqetësimin e tij për vonesën subvencioneve. Ai kërkon që subvencionet të dalin sa më shpejt.

“Ende (hala) nuk i kemi marr subvencionet këtë vit, dhe po presim prej institucioneve që të dalin sa më shpejtë, pasi kemi 7 hektarë e gjysmë rrush”, tha Hoxha.

Po ashtu edhe pagesat për plehërimin dhe naftën nuk janë proceduar ende për bujqit. Për këtë, fermerët janë të obliguar të sjellin faturat si dëshmi.

/TV Malisheva

Share.