Në Shkup të Maqedonisë së Veriut po mbahet Samiti i Brdo Brijunit, në të cilën po marrin pjesë krerët e shteveve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit është e dhe presidentja Vjosa Osmani.

Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, falënderoi presidentët nikoqirë të këtij samiti, Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit Brdo-Brijunit.

“Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi ajo shkurt.

Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, është paralajmëruar se Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Takimi i Brdo-Brijuni është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Ky proces është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.

/TV Malisheva

Share.