Lidhja Demokratike e Kosovës brenda ditës sotme ose së nesërme pritet ta nënshkruajë marrëveshjen bashkëqeverisëse me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe minoritetet për të formuar qeverinë e ardhshme.

Posa të arrihet një gjë e tillë do të procedohet me seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Ky koalicion qeverisës i ka të siguruara votat e 64 deputetëve.

Kështu u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas takimit në selinë e partisë mes deputetëve, kryetarit Isa Mustafa dhe të propozuarit për kryeministër, Avdullah Hoti, por pa prezencën e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila është edhe deputete e LDK-së.

Gashi: Sapo të mbyllen koalicionet, ne do të procedojmë me emrin dhe kërkesën te presidenti

“Shpresojmë, besojmë dhe po angazhohemi që brenda ditës sotme dhe të nesërme të mbyllen koalicionet. Sapo të mbyllen koalicionet, ne do të procedojmë me emrin dhe kërkesën te presidenti për të marrë përsipër formimin e qeverisë. Ne nuk mund të marrim përsipër formimin e qeverisë pa i pasur të përfunduar koalicionet”, tha ai.

I pari i deputetëve të LDK-së tha se në takimin e sotëm nuk është prezantuar kabineti qeverisës, pasi ai fillimisht nga i propozuari për kryeministër Avdullah Hoti do t’i paraqitet kryesisë, e më pas të diskutohet.

Gashi: Më rezulton që i kemi 64 vota

“Rezulton që i kemi 64 vota…Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Nuk ka kërkim mëshirë, apo diçka. Bëhet një koalicion qeverisës dhe Lista Serbe edhe ashtu ka normën e caktuar në bazën e Kushtetutës për përfaqësim…Nuk e di a do të jetë prezent në seancën e radhës këtu. Por kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër kanë komunikuar dhe me Behgjet Pacollin për të parë cilat janë pikëpamjet e tij”, u shpreh Gashi.

I pyetur për mospublikimet e letrave të ndërsjella mes kryetarit Mustafa dhe presidentit Thaçi, Arben Gashi tha se ato nuk kanë bazë juridike dhe kushtetuese, por sipas tij Lëvizja Vetëvendosje mund të dërgojë dekretin e presidentit për mandatarin në Gjykatën Kushtetuese.

Gashi: Letra e presidentit është një letër njoftuese dhe nuk ka bazë kushtetuese

“Letra e presidentit është një letër njoftuese dhe nuk ka bazë juridike dhe kushtetuese që të dërgohet në Kushtetuese. Sa i përket dekretit është çështje tjetër dhe vendimit të Kuvendit. Është e drejtë e kujtdo që konsideron se iu ka mohuar e drejta ose ka një veprim jo kushtetues nga Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Janë të paktën tre deputetë të LDK-së që kanë shprehur rezervat e tyre për të votuar një qeveri në koalicion me ish-koalicionin PAN./Tv Malisheva

Share.