Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka folur për sulmin terrorist që ndodhi në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.

Kusari-Lila nga foltorja e Kuvendit i ka shprehur ngushëllime familjes Bunjaku, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku.

“Ne humbëm një rreshter por fituam një hero. Në këto ditë sfiduese për shtetin dhe integritetin territorial të vendit tonë, në ditë të dhimbjes dhe krenarisë për policinë, gjejmë forcën dhe kurajon të shikojmë përtej vijave politike dhe tregojmë unitetin karshi sulmeve që synojnë të shkatërrojë çdo gjë që është ndërtuar”, tha Kusari-Lila.

Ajo shtoi se e diela shpërfaqi një plan të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë.

“Prej mjeteve logjistike, ushtarake, transportimit dhe armatimit e tëra ishte skenar i përgatitur në kampet e trajnimit të Serbisë për të cilat autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë ka muaj që kanë paralajmëruar. Dëshmitë nga vendi i ngjarjes, fotografitë dhe sasia e armatimit plotësojnë skenarin që parashihte luftë, ndarje dhe destabilitet të Kosovës”, tha Kusari-Lila.

 

Kusari-Lila shtoi se mëngjesi i së dielës zbardhi të vërtetën për Serbinë.

“Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe krimi. Në këtë situatë reflektimi dhe bashkërendimi i Shqipërisë krah Kosovës duhet mirëpritur dhe së bashku duhet shtuar përpjekjet për bashkërendim të betejës diplomatike me të gjitha vendet e BE-së, SHBA-të dhe vendet tjera të bllokut veri-atlantik”, ka thënë Kusari-Lila.

 

Ajo shtoi se u kuptua qartë se Serbia as nuk ka ndryshuar dhe është Serbia e Millosheviqit, veç me fushëveprim më të ngushtë.

/TV Malisheva

Share.