Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se të enjten lansohet fushata për informim për liberalizimin e vizave.

Aktiviteti i parë do mbahet në Prishtinë për të vijuar më tej në krejt Kosovën.

“Ju ftojmë të na bashkoheni në këtë ngjarje e të informoheni së afërmi mbi lëvizjen e lirë pa viza që do nisë nga 1 janari”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ditë më parë ka dalë me një njoftim sa i përket udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Në njoftimin e ambasadës thuhet se “Poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtëra”.

Ambasada gjithashtu njofton se udhëtimi pa ju mundëson të udhëtoni pa vizë për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

/TV Malisheva

Share.