Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pritet ta rrisin praninë ushtarake në Kosovës pas ngjarjeve të 24 shtatorit. Këtë e ka konfirmuar koordinatori për komunikim në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
Kirby ka thënë se SHBA-ja ka në Kosovë një numër të vogël të forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it dhe se nuk pret që ky numër të ndryshojë, apo që SHBA të rris numrin e ushtarëve.
“Siç e dini, janë një numër i vogël i forcave amerikane që janë pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it – Forca e Kosovës – që NATO mban atje. Janë një numër i vogël. Unë — Nuk pres që ky numër do të ndryshojë ose do të ketë ndonjë trupë shtesë të SHBA-së si rezultat i kësaj”, ka thënë Kirby në një konferencë për media.
Sa i përket vendimit të Britanisë së Madhe për 200 trupat shtesë në Kosovë, Kirby ka thënë se Mbretëria e Bashkuar aktualisht është në një cikël udhëheqjeje mbi KFOR-in dhe se për trupat britanike duhet folur me ta.
Ai ka ripërsëritur se sa i përket ushtrisë amerikane, s’parashikon ndonjë ndryshim në strukturën e ushtrisë amerikane në Kosovë.
“Është – siç e kuptoj unë, Mbretëria e Bashkuar tani është në një cikël udhëheqjeje mbi KFOR-in, kështu që me të vërtetë duhet të flasësh me ta për një shpërndarje të forcës. Por unë nuk parashikoj ndonjë ndryshim në – në strukturën e forcës amerikane”, ka shtuar tutje ai.
Në një përgjigje të dhënë sot nga KFOR-i kanë paralajmëruar se 200 trupat britanike do të pasohen edhe me ushtarë të tjerë shtesë nga shtetet aleate.
Nga Bundeswheri sot kanë thënë se janë në kontakt me Qeverinë e Kosovës dhe aleatët për hapat e mundshëm
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër dhe jemi në kontakt të ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe aleatët tanë të NATO-s për hapat e mundshëm të mëtejshëm. Është e rëndësishme që të gjitha argumentet të peshohen në mënyrë objektive”, kanë deklaruar nga Bundesheri.
/TV Malisheva