Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka kërkuar përkrahje për Policinë e Kosovës. Duke përmendur vrasjen e policit Afrim Bunjaku në Banjskë nga grupet terroriste serbe, Krasniqi ka thënë se është koha të rikthehet vëmendja ndaj PK-së.

Në një deklarim në Kuvend, Krasniqi ka thënë se shteti e ka për obligim që t’iu ofrojë paga meritore Policisë së Kosovës.

“Mendoj se ditët e fundit e kanë hequr çdo dilemë që dikush mund ta ketë pasur. Andaj nënvlerësimi i kontributit të tyre duhet t’i vije fundi. Ne e kemi ditur, mirëpo mendoj se edhe ju e patë se çfarë Policie profesionale dhe vetëmohuese kemi. I patë djemtë dhe vajzat më të mira të shtetit që triumfuan përballë terrorizmit dhe agresionit të shtetit serb”, ka thënë Krasniqi.

“Andaj, ka ardhë koha që përfundimisht të reflektoni, sepse shteti e ka për obligim që t’iu ofrojë paga meritore, atyre që janë të gatshëm për t’u sakrifikuar për të garantuar sigurinë e vendit, siç ishte edhe rasti i fundit me rreshterin hero nga Vushtrria, Afrim Bunjaku. Ky është minimumi që duhet të bëhet dhe duhet tu paguhet edhe niveli i rrezikshmërisë së tyre, pagesë kjo e cila padrejtësisht u është hequr tash e sa muaj”.

“Kjo qasje shtypëse ndaj atyre që i përgjigjen të gjitha nevojave të vendit, duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund, sepse nuk mund të nëpërkëmbet e drejta dhe vullneti i tyre, këtë nuk do ta lejojmë. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, edhe në ditët e fundit na zbardhën fytyrën para krejt botës dhe treguan vlerën e vërtetë të tyre. E shpëtuan atdheun nga rreziku dhe treguan profesionalizëm, sinqeritet dhe respekt jo vetëm për popullin në rrezik, por edhe ndaj armikut terrorist, që pas vetës kishte aparatin e tërë shtetëror serb me të gjitha furnizimet dhe logjistik”.

/TV Malisheva

Share.