Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Granada të Spanjës, ku po merr pjesë në samitin e liderëve të vendeve evropiane, ndërkaq ka takuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin britanik Rishi Sunak, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, etj.

Osmani në nisje të këtij samiti u deklarua para mediave ndërkombëtare, duke i njoftuar për situatën në Kosovë dhe sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator.

E pyetur nëse do të ketë takim me presidentin e Serbisë, ajo tha “nuk ka arsye për takim para sanksioneve… sanksione së pari pastaj mund të dialogojmë…”, tha ajo.

“Janë kohë të vështira për gjithë Evropën, posaçërisht për vendin tim pasi që së fundmi jemi përballur me një akt agresioni nga Serbia, i cili është kryer përmes një grupi terrorist paramilitar. Jam këtu të kërkoj mbështetje nga aleatët dhe partnerët evropianë që të sanksionojnë Serbinë, në mënyrë që ata të mos kenë guximin që të kryejnë akte të tilla agresioni ndaj Kosovës dhe fqinjëve tjerë”, u shpreh Osmani.

Osmani është shprehur optimiste edhe për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës dhe dënimin e veprimeve të Serbisë.

“Spanja është shtet që po kontribuon në paqe dhe stabilitet në tërë kontinentin, shpresoj se do ta kuptojnë se mbështetja e një agresori për të cilët ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj se Spanja do ndjekë linjën e shteteve të tjera që të marrin masa kundër Serbisë për këtë akt që ka kryer jo vetëm ndaj Kosovës por edhe kundër paqen dhe sigurisë së tërë Evropës”, u shpreh presidentja Osmani.

E në samitin e mbajtur në Granada të Spanjës, presidentja e Kosovës ka takuar edhe liderët evropianë.

Osmani diskutime me kancelarin Scholz dhe kryeministrin Mitsotakis – Vuçiq shihet i vetmuar

Gjatë këtij samiti, Osmani ka zhvilluar biseda të veçanta me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Presidentja Osmani ka informuar kancelarin gjerman dhe kryeministrin grek për situatën aktuale në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.

Në fotografinë që ka siguruar Telegrafi nga ky bashkëbisedim i Osmanit me Scholz dhe Mitsotakis, në prapavijë vërehet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili qëndronte i vetmuar.

Osmani para fillimit të samiti, ka deklaruar se nuk ka arsye për takim me Vuçiqin para sanksioneve.

“Nuk ka arsye për takim para sanksioneve, sanksione së pari pastaj mund të dialogojmë”, tha Osmani.

 Presidentja takim edhe me presidentin francez, Macron 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar homologun e saj francez, Emmanuel Macron, në Granada të Spanjës ku po merr pjesë në samitin e liderëve të vendeve evropiane.

Në një shkrim në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, Osmani tha se ka qenë një takim i rëndësishëm mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

Ajo tha se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës.

“Një diskutim i rëndësishëm me presidentin francez, Emmanuel Macron mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm. Theksova rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës sonë”, shkroi Osmani.

Osmani takon edhe kryeministrin britanik, i shpreh mirënjohje për mbështetjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Granada të Spanjës është takuar me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.

Në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, Osmani ka thënë se ka pasur rastin që të informojë kreun e Qeverisë britanike për situatën e sigurisë në Kosovës pas aktit të agresionit të Serbisë.

Po ashtu ka falënderuar Sunak për forcat shtesë që Britania po dërgon në Kosovë në kuadër të KFOR-it, dhe ndihmën në ruajtjen kufirit dhe për të parandaluar akte të tjera.

Osmani ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës.

“Ne jemi mirënjohës që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po na ndihmojnë të mbajmë kufirin tonë të sigurt në mënyrë që të parandalojmë akte të mëtejshme agresioni. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse”, ka thënë Osmani.

Britania e Madhe dërgoi trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesë të kësaj të fundit, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javën e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi të dielën se do t’i zhvendosë rreth 200 trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, në ditët në vijim.

“Kjo njësi e ushtrisë britanike do t’i bashkohet forcës së NATO-s në Kosovë, pas një kërkese specifike nga komandanti suprem i Aleancës për Evropën, SACEUR, gjenerali amerikan Chris Cavoli”, thuhet në njoftim.

Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Takimi i Osmanit me kryeministrin e Shqipërisë

Gjatë samitit në Garanada të Spanjës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ndër  shumë fotografi të postuara në Facebook, Rama ka zgjedhur edhe një foto me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku shihen në humor të mirë.

“Luftë është fjalë e madhe, por para se të jetë tepër vonë, masa duhen marrë. Ne po e ndjekim situatën nga shumë afër dhe e rëndësishme është që ka një vullnet të mirë, është gjë e mirë që NATO ka shtuar prezencën KFOR-in në veri sepse kufiri atje është bërë shumë transparent dhe shpresojmë që dialogu do të vijojë”, është shprehur Rama.

/TV Malisheva

Share.