Republika e Kosovës të dielën më 24 shtator u ekspozua ndaj një sulmi agresiv të grupeve kriminale dhe terroriste nga Serbia jo vetëm ndaj policisë së Kosovës, por edhe ndaj vetë shtetit të Kosovës, ndaj rendit dhe sigurisë sonë.

Kështu ka thënë në fillim të një interviste për mediumin e Malit të Zi, “Pobjeda”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Dhe për këtë, ka theksuar ai, deri më tani janë vërtetuar disa fakte.

“Së pari, është vërtetuar rreziku, synimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste në Serbi, kundër të cilave luftojmë për më shumë se dy vjet e gjysmë. Së dyti, duke qenë se terroristët ishin të armatosur me armë ushtarake të mjaftueshme për një grup deri në njëqind luftëtarë, ne vërtetuam ekzistencën e një skenari për gjakderdhje në Kosovë. Vlera e armëve të sekuestruara është më shumë se pesë milionë euro”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu, siç ka thënë Kurti, sulmi terrorist nxori në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.

“Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, ka paralajmëruar Kurti.

Ndërsa duke komentuar arrestimin e Milan Radoiçiqit nga autoritetet në Serbi, Kurti ka vlerësuar se një veprim i tillë të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin kolumbian.

“Escobar në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas”.

Madje, marrëdhënia mes (Aleksandar) Vuçiqit dhe Radoiçiqit – siç ka thënë Kurti – nuk është origjinale, duke shtuar se “skenarë të tillë” kemi parë tashmë shumë herë.

“(Vladimi) Putini i vogël në Beograd duhet të ketë (Yevgeny) Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Sloba (Sllobodan Millshoviqi) i ri në Beograd ka (Zhelko Razhnjatoviq) Arkanin e tij të ri në Kosovë”.

 

Kryeministri Albin Kurti ka thënë më tej se të gjithë terroristët që kanë arritur të arratisen duhet t’u dorëzohen autoriteteve të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” duhet të shpallen organizata terroriste nga vendet tona mike, partnere dhe aleate – duke kujtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e bëri këtë në seancën e 29 qershorit të këtij viti.

Gjatë intervistës, Kurti është pyetur rreth asaj se sa është Rusia e përfshirë në terrorizëm në veri të Kosovës?

Në këtë kontekst ai ka thënë se destabilizimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor është mjeti kryesor i Beogradit, i cili i shkon përshtati edhe Kremlinit.

“Serbia kërkon statusin e ‘Rusisë së vogël’ në Ballkan, ku entiteti i RS në Bosnje dhe Hercegovinë do të bëhet ‘Bjellorusia e vogël’. Në vitet 1990, Vuçiq mbrojti idenë e një ‘Serbie të madhe’, të cilën ai tani, duke ndjekur shembullin e ‘botës ruse’, e quan ‘bota serbe’. Sot Serbia përsëri ëndërron për një Serbi të madhe; ka pretendime për një pjesë të territorit të shtetit të BeH, dëshiron ta kthejë Malin e Zi në Ukrainë, të na vjedhë veriun e Kosovës. Ajo këmbëngul për një marrëdhënie me fqinjët e saj të ngjashme me marrëdhëniet e Moskës me Ukrainën dhe Bjellorusinë, që nënkupton ose një kontroll të caktuar të qeverisë qendrore ose kontroll të një pjese të caktuar të territorit të vendit fqinj. Prandaj fqinjësia e Serbisë paraqet rrezik sigurie për ne”, ka thënë ndër tjerash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

/TV Malisheva

Share.