Më 7 tetor bota u trondit nga një sulm i “befasishëm” i grupit militant palestinez Hamas kundër shtetit të Izraelit.
Shkruan: Afrim Kasolli
Në këtë inkursion që po konsiderohet më vdekjeprurësi për këtë shtet, persona të armatosur të organizatës në fjalë përdoren eksplozivë për të thyer gardhin kufitar që rrethon Gazën, më pas kaluan me motoçikleta, kamionçina, parashuta dhe varka të shpejta në bregdet.
Si pasojë e luftimeve numri i viktimave ka arritur në 1000 persona në të dy anët. Pas fillimit të kësaj lufte është shtuar frika për zgjerimin e saj. Pas fillimit të kësaj lufte është shtuar frika për zgjerimin e saj. Sulmet në kufirin verior të Izraelit me Libanin kërcënojnë gjithashtu të tërheqin në betejë Hezbollahun, i cili mbështetet nga Irani dhe vlerësohet të ketë dhjetëra mijëra raketa në dispozicion, shkruan AP.
Vet Kryeministri i Izraelit në fjalimin drejtuar qytetarëve të këtij shteti, deklaroi se Hamasi “do të paguajë një çmim të paprecedentë”. Dhe se nuk jemi tashmë në një operacion special, por “ në një luftë që do të marrë kohë, si dhe do të jetë e vështirë”.
Analistë të ndryshëm kanë paralajmëruar se zhvillimet e papritura në Lindjen e Mesme madje mund t’i zhvendosin nga vëmendja e publikut shumë kriza tjera, sikurse lufta në Ukrainë, tensionet ndërmjet Tajvanit dhe Kinës, apo edhe ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë etj etj.
Ndërkohë, frika nga një krizë e re e refugjatëve në Mesdhe ka ngritur alarmin në shumë qendra të vendosjes perëndimorë, se rrezikon ta destabilizojë edhe më shumë politikën e këtyre shteteve, për shkak të ndjenjave populiste. Pra duket sikur bota po katandiset nga njëra krizë e madhe në një tjetër edhe më të madhe, duke i ushqyer edhe më shumë forcat e kaosit dhe pasigurisë totale.
Prandaj, me të drejtë shumëkush ka shtruar pyetjen se pse pikërisht tani ndodhi ky sulm? Nuk munguan vlerësimet se ai ka të bëjë me 50 vjetorin e Luftës së 1973, e njohur ndryshe se Lufta e Yom Kipurit, ditë kjo kur kishte shpërthyer konflikti ndërmjet Izraelit dhe Sirisë si dhe Egjiptit. Kjo luftë përfundoi me kapitullimin e shteteve arabe.
Mirëpo, përtej kësaj simbolike historike e cila mund të jetë e kalkuluar vetëm për t’i përndezur pasionet e hakmarrje kolektive, arsyet e vërteta të këtij shpërthimi të “befasishëm” mbase kanë të bëjnë me kontekstin gjeopolitik në rajon dhe më gjerë.
Pra ai mund të jetë i orkestruar dhe dizajnuar nga forcat tjera që kanë qëllime strategjike për të minuar përpjekjet e fundit diplomatike të ShBA-ve për të për normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Arabisë Saudite dhe Izraelit. Një gjë e tillë kishte kohë që kishte filluar. Këtë përfarim kohë më parë e kishte paralajmëruar edhe Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman.
Në këtë kontekst, siç shkruan prestigjiozja britanike “The Guardian” relaksimi i raporteve ndërmjet këtyre dy shteteve pat filluar të shihej si i dobishëm edhe për vet Rijadin. Ekonomia e këtij vendi pritet të tkurret sipas parashikimeve të Bankës Botërore, prandaj drejtuesit e tij ka qenë dëshpërimisht në kërkim të investimeve të jashtme dhe veçanërisht dinamizmit teknologjik të Izraelit.
Ashtu siç tashmë e kanë bërë Emiratet e Bashkuara Arabe. Shkëmbimi ekonomik ndërmjet Izraelit dhe këtij vendi është dyfishuar në “2.56 miliardë dollarë vetëm në vitin 2022 pas një marrëveshje që kishin nënshkruar këto dy vende për tregti të lirë”.
Kështu, kjo gazetë konstaton se janë shtete sikur bie fjala Irani, por që nuk përjashtohen as akterë tjerë që kanë interesa për ta mbajtur të denormalizuar hapësirën gjeopolitike të Lindjes së Mesme për të ruajtur kontrollin e tyre.
Madje, vetë Lideri Suprem i Iranit, në një shfaqje publike i kritikoi tendencat diplomatike të disa shteteve arabe për t’u afruar me Izraelin.
Kurse, udhëheqësi i Xhihadit Islamik, Zias al-Nakhala deklaroi se “ ato qeveri në regjion që janë të prirura për normalizim me Izraelin duhet ta dinë se janë pajtuar që Palestina nuk është jona dhe po ashtu Jerusalemi po ashtu nuk është i joni”.
Prandaj, sipas këtij interpretimi, nuk ka kauze tjetër më të madhe për të nxitur zjarrminë e armiqësive dhe urrejtës ndërmjet Botës Arabe dhe shtetit të Izraelit se sa operimi me çështjen palestineze. Me këtë rast, pikërisht ajo që filloi si sulm i Hamasit që e kontrollon politikisht rripin Gazës kundër Izraelit më një “lehtësi të padurueshme” mund shpërhapet në një luftë regjionale. Sepse vala e saj është e vështirë të kontrollet.
Për shkak të disponimit masiv të publikut, vet liderët e Botës Arabe do të kenë të pamundur të investojnë në këtë përfarim me shtetin e Izraelit. Dhe në këtë mënyrë të dështojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta stabilizuar dhe qetësuar rajonin.
Rrjedhimisht, kur analizohet një kontekst i tillë gjeopolitik shihet qartë se edhe ky inkursion mund të jetë pjesë e kongruencës se interesave dhe skenarëve të Iranit, Kinës, Rusisë etj etj, për t’iu kundërvënë me çdo mënyre përpjekjeve të Uashingtonit për paqe dhe stabilitet global dhe për të përfituar nga kaosi.
A nuk duket edhe mënyra e ekzekutimit të tij si dhe koha e ngjashme me sulmin terrorist mbi Kosovën me 24 shtator dhe pushtimin Ukrainës me herët?
/TV Malisheva