Listat e fryra të veteranëve dhe veteranët e rrejshëm janë temë dhe çështje mjaftë problematike në Kosovë.

Dyshimet e hedhura mbi procesin e verifikimit dhe pretendimet për falsifikime të mëdha mbi statusin e veteranit të luftës kanë çuar edhe në hetimin ligjor të këtij procesi, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë, pak para zgjedhjeve – kjo temë është rikthyer përsëri në diskutim, kjo pas pretendimeve të Organizatës së Veteranëve të Luftës se ende po lëshohen certifikata të veteranëve edhe në këtë periudhë.

OVL e UÇK-së nëpërmjet një komunikate kanë ftuar të gjithë të mos bien pre, e siç thonë ata manipulimeve.

“Si OVL UÇK, i ftojmë të gjithë që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, dukuri e cila në kohën e fundit është duke u shpeshtuar, sepse kjo është e pakuptimtë në kohën kur jemi në procesin e hetimeve nga prokuroria. Nga Zyra për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kërkojmë që ta parandalojë dukurinë e lëshimit të certifikatave, të cilat edhe ashtu e kanë kompromituar procesit dhe vet statusin e veteranit”, është thënë në komunikatën e OVL UÇK-së.

Ndaj kësaj komunikate ka reaguar edhe Gazmend Syla nga Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta ku thuhet se është përgjegjësi e Komisionit të konstatoj statuset e kategorive të dala nga lufta.

Në anën tjetër, Syla ka thënë se: “Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë, janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike”, duke e lënë mjegull mbi këtë situatë dhe duke kërkuar nga OVL të mos lëshojë komunikata të tilla, sipas tij, politike.

“Përkundër asaj që pretendohet, Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së ka bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. Kjo mbase i ka penguar dikujt. Shpresojmë që jo Shoqatave”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, lajmi.net ka folur me nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj i cili ka dhënë edhe një numër të certifikatave që janë lëshuar së voni.

Ai tha se kanë dërguar disa emra në Prokurori dhe kanë lëshuar komunikatën si preventivë që të mos ndodhin shkelje të tilla.

“Unë mendoj që numri i saktë vërtetohet tek Ministria e Mirëqenies, certifikata janë lëshuar sistematikisht dhe periodikisht, ne e dimë nga njerëzit që po na tregojnë, ne i kemi dërguar tek Prokuroria dhe ne komunikatën e kemi lëshuar si preventivë, që nëse ka ndodhur, le të ndalet”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka treguar se ka pasur raste të kësaj dukurie në Prizren, Gjilan e qytete të tjera, por sipas tij, Prokurorët e rinj nuk janë të interesuar për bashkëpunim.

“Gjasat me u keqpërdorë janë tani zgjedhjet sepse politika i ka fry listat e veteranëve. Unë e di që mund të duket shmangie por, dukuria është shfaqur, në Prizren, Gjilan, njerëzit na kanë treguar dhe ne i kemi orientuar, emrat i kemi dërguar në Prokurori, por tani këta dy prokurorët pas Blakajt nuk janë të interesuar për bashkëpunim”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka pohuar se i kanë rreth 70-80 emra të cilët kanë marrë certifikata së voni, por sipas tij ky numër është shumë më i madh se kaq, por sipas tij, është MMPH ajo që duhet ta shpjegojë këtë çështje.

“Ne po keqkuptohemi shumë, ne ende atakohemi, sikur ne i vlerësojmë veteranët, është Komisioni që e bën këtë punë. Dikush po thotë se po sulmohet Haradinaj, por jo, po sulmohet qeveria dhe njerëzit përgjegjës. Nëse flasim për numra, është numër i madh, por kjo është sikur me qitë fall, sepse është edhe kohë fushate. Unë i kom marrë shënime diku rreth 70-80 emra që kanë ardhur. Ky numër është zyrtar që i kam dërguar nëpër Prokurori. Pa emra është numër më i madh. Unë mendoj që ka edhe më tepër. Por, këtë mund ta shpjegojë më së miri Ministria e Mirëqenies Sociale”, tha Haradinaj.

Tema e veteranëve të luftës po vazhdon të mbetet temë e hapur pasi është iniciuar proces gjatë këtij hetimi.

Pas hetimeve, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave që dyshohen se kanë manipuluar me verifikimin e veteranëve si pjesë e Komisionit.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari – janë të akuzuar në lidhje me këtë çështje.

Share.