Familja e Adem Demaçit dhe familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova janë takuar ditën e enjte.

Kështu ka bërë të ditur Adnan Merovci, i cili ka qenë një ndër personat më të afërt të ish- presidentit Ibrahim Rugova, e po ashtu ishte pjesë e takimit.

“Dje, u takuan familjet e dy SAHAROVËVE shqiptarë! Dr.Shqiptar DEMAÇI me bashkëshorten Arbërijën dhe djalin Feniksin, vizituan familjen RUGOVA në Velani. Në këtë vizitë të familjes së simbolit të qëndresës Adem DEMAÇI, mikpritje i dhuruan zonja Fanë RUGOVA me djemtë Mendimin e Ukën, si dhe vajzën, Teutën. Ishte ky një takim i përzemërt dhe shumë emocionues duke u çmallur me tregimet dhe rrëfimet e familjarëve e tyre për këto dy figura kolosale”, tha ai.

Merovci ka pohuar se familjarët janë shprehur të kënaqur për takim.

“Dr. Shqiptari, i biri i Adem DEMAÇIT u shpreh se ndjehet i nderuar që po viziton familjen e Presidentit RUGOVA, teksa shtoi se komunikimet e tyre janë të një rëndësie të veçantë që nderojnë punën e paraardhësve. Zonja Fanë RUGOVA duke e përshëndetur Dr.Shqiptarin dhe familjarët e tjerë, u shpreh mirënjohëse për këtë vizitë e cila ka një domethënie dhe simbolikë të madhe për gjeneratat e reja se si duhet të respektohen paraardhësit, në këtë rast të dy kolegëve të cilët fillimisht vijnë nga letërsia dhe pastaj nga kontributi i tyre për çështjen kombëtare dhe pavarësinë e Kosovës”, shtoi ai.

Tutje ai ka shkruar se raportet mes Rugovës dhe Demaçit kanë qenë korrekte.

“Dr.Shqiptar DEMAÇI theksoi se raportet në mes presidentit RUGOVA dhe Adem DEMAÇIT kanë qenë korrekte dhe në shumë raste janë keqinterpretuar nga dashakeqësit”.

“Ne jemi këtu bashkë për ta vërtetuar këtë dhe ftoj të gjithë njerëzit që kanë dilema të jenë të qetë, sepse tani RUGOVA dhe DEMAÇI janë në disponim dhe komunikim të shkëlqyeshëm në amshim”, u shpreh ndër tjera Dr. Shqiptari në këtë takim.

“Vizita që zhvilluam ishte e përzemërt nga ku dhe rrodhi porosia që të jemi unik dhe bashkëveprues, sepse kështu më së miri e nderojmë Presidentin RUGOVA dhe Bacën Adem DEMAÇI, e i ndihmojmë Kosovës sonë për të cilën këto dy personalitete së bashku me të tjerët, dhanë kontributet e tyre kolosale”, thekson ai.

/TV Malisheva

Share.