Është dhënë fjala përfundimtare në rastin ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me aksidentin e shkaktuar në prill 2021 ku ishte lënduar lehtë një fëmijë.

Avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti tha se ministrja Hajdari ka ndryshuar deklaratën e saj.

“Ne vlerësojmë që në këtë rast janë përmbushur në tërësi elementet e kundërvajtjes. Ajo çka është e rëndësishme është që e pandehura ka bërë ndërrimin e deklaratës në tërësi nga fakti që fillimisht ka deklaruar që ka parë dy fëmijë duke dalë nga marketi, tanimë e ka ndryshuar duke thënë se jo nuk e kam parë dhe që e ka parë vetëm momentin e goditjes së tyre. Ne kemi kërkuar nga gjykatat që te mos i falë besimin për shkak se ka kundërthënie. Po ashtu më herët ka deklaruar se moti ka qene me shi, tani e ka bërë ndryshimin e deklaratës dhe së fundi lidhur me deklaratën e saj që ka frenuar, kur e kemi ballafaquar me ekspertizën dhe supërekapertizën, ka refuzuar të përgjigjët”, tha avokati Shefqeti.

Ndërsa pas seancës, avokati mbrojtës i Hajdarit, Shemsi Bunjaku tha që seanca ka qenë e mbyllur për publikun dhe se nuk dëshirojnë të prononcohen.

Në seancë të mbyllur për publikun, Hajdari është dëgjuar në cilësinë e të pandehurës derisa fjalën e ka dhënë edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas seancës së parafundit, përfaqësuesi i palës se dëmtuar kishte deklaruar se ekspertët kanë konstatuar se vetura e ministres Hajdari s’kishte gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit

Seanca e datës 9 tetor si dhe ajo e datës 11 tetor 2023 si dhe seanca e sotme janë mbyllur për publikun më arsyetimin se kemi të bëjmë me rastin e aksidentit ndaj një të miture.

Ndërkohë, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë. Sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.

Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

/TV Malisheva

Share.