Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, priti në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it duke shprehur besimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.
“Gjithashtu, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit në përballjen me sukses ndaj sfidave e kërcënimeve të hapura nga Serbia që tentojnë të cenojnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendit, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.
Në këtë drejtim, Presidentja shprehu mirënjohjen për përforcimin e trupave të KFOR-it, të cilat po i përkrahin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë.