Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar mbështetje për projektin e “Unazës së Qytetit”, kostoja e secilës është e papërballueshme për Komunën e Prishtinës.

Kreu i Prishtinës ka deklaruar se ndërtimi i saj është jetik për Kryeqytetin dhe se e tejkalon 350 milionë euro.

Teksa ka folur për problemin e trafikut në Kryeqytet, Rama fajëson mungesën e investimeve në infrastrukturë dhe rritjen e vrullshme të Prishtinës.

Rama u shpreh se “Unaza e Qytetit” do të mundësojë lagjeve periferike të lidhen pa qenë e nevojshme të hyjnë në qendër.

“Siç e dini, problemi me trafikun ka ekzistuar edhe në të kaluarën dhe vazhdojë të ekzistojë. Një numër i madh i ndërtimeve që kanë ndodhur si rezultat i rritjes së vrullshme të Kryeqytetit që nga paslufta e deri më tani, ka qenë po ashtu edhe si rezultat i mungesës së investimeve kapitale në infrastrukturë dhe normalisht që tani kemi probleme të cilat ballafaqohemi me to sot. Problem kyç më së i nevojshëm është edhe ‘Unaza e Kryeqytetit’, e cila mundëson që të gjitha lagjet periferike të lidhen përmes unazës pra mos të ketë nevojë që të hyjnë në qendër të Prishtinës e pastaj të dalin. Pra kjo është jetike për Kryeqytetin”, deklaroi Rama, teksa e konsideron si të papërballueshëm vetëm për Kryeqytetin.

Për këtë, ai kërkon mbështetjen edhe të Qeverisë. Se ky projekt duhet të realizohet, Rama e ndërlidh edhe me Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe se kërkohet një infrastrukturë më moderne.

“Ne projektin tashmë e kemi të gatshëm, kërkojmë nga ministri i Financave që të jetë bashkëpunues dhe ta shoh të leverdishme sepse është mese e nevojshme që Kryeqyteti ta ketë ‘unazën’. Tashmë Prishtina ka me qenë nikoqire e ‘Lojërave Olimpike Mesdhetare’ dhe na nevojitet një infrastrukturë të denjë dhe ndërtimi i këtyre rrugëve janë më së të nevojshme. Mirëpo në projekte madhore siç është kjo ku shuma e tejkalon 350 milionë euro, pra vetëm 206 milionë euro është vetëm ndërtimi i pjesës së unazës që tashmë mungon, ndërsa mbi 157 milionë euro janë shpronësimet dhe atëherë se këtu duhet të jetë një bashkëpunim mes nivelit lokal dhe atij qendror”, u shpreh Rama, teksa thotë se këtë projekt e ka diskutuar edhe me kabinetin qeveritar.

“Unë gjithmonë e shty për bashkëpunim, shpresoj e lutëm për bashkëpunim. Në diskutimet tona të shumta me ministrin (Hekuran Murati) e potencoj nevojën që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë, po ashtu edhe me kryeministrin e potencoj nevojën që të kemi një bashkëpunim në këtë aspekt sepse Kryeqyteti është për të gjithë, i të gjithëve dhe këtu nuk ka ndarje politike e as nacionale. Po ashtu kur ta ke parasysh që taksapaguesit më të mëdhenj në buxhetin e Kosovës janë pikërisht bizneset e Prishtinës, pra duhet edhe Kryeqyteti ta ketë një mundësi që e meriton”, thotë Rama.

E sa i përket kritikave për shndërrim të rrugëve në sheshe, Rama e konsideron si të paevitueshëm, për shkak siç thotë problemeve që mund t’i ketë Prishtina në të ardhmen.

“Ndoshta vetëm është bërë një trend për kritikë për arsye sepse vetëm një rrugë është e transferuar në shesh, pra rruga ‘Xhorxh Bush’, pra nuk është rrugë e mbyllur, ajo është rrugë e hapur për qytetarë. Deri sot nënat me fëmijë ose të moshuar kanë pasur pak hapësira publike që e kanë ndier vetën të shlirë për të lëvizur brenda Kryeqyteti. Kemi sjellë biçikleta dhe tash i sheh nëpër gjitha pjesët e Prishtinës dhe ke shtigje të sigurta për biçikletë e trotinete. Paralelisht i kemi marrë 10 milionë prej fondit të BERZh-it dhe tash është në prokurim për me i marrë edhe 30 autobusë të rinj shtesë. I kemi ri planifikuar linjat e autobusëve, pra me u lidh të gjitha fshatrat drejtë qytetit dhe anasjelltas, kurse në qendër testin që e kemi bërë për unazën njëkahore janë më së të nevojshme, për arsye se edhe përmirësojnë kualitetin e ajrit”, thotë Rama.

Rama ka folur edhe për krijimin e hapësirave parkimi në zonën qendër, teksa dy të tjera planifikon t’i ndërtojë te “Rrethi i flamurit” dhe një të tillë nëntokësor te Posta Qendrore.

“E kemi hapur edhe parkingun nëntokësor tek Katedralja, pra ne nuk e kemi mbyllë rrugën për makina, derisa nuk e kemi hapur parkingun nëntokësor, pra kjo është me faza edhe Xhamia e Madhe do ta ketë parkingun e madh nëntokësor e një parking i madh nëntokësor do të jetë te ‘rrethi i flamurit’, pra e kemi strategjinë me faza për krijimit e mundësive me u qas dhe paralelisht me i hap po ashtu edhe hapësirat publike për qytetarët që të kenë një lëvizje të sigurt e të shëndetshme”.

/TV Malisheva

Share.