Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa siguruar kufijtë me Serbinë.
Sipas saj, Lista Srpska nuk duhet të certifikohet për zgjedhjet e ardhshme.
“Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, Vuçiqi dhe Lista kriminale Serbe ka humbur të drejtën dhe peshën e deklaratave në emër të serbëve të Kosovës, të cilët as nuk i përfaqësojnë më, e as nuk besoj se tash e tutje do të mund të certifikoheshin të marrin pjesë në zgjedhje. Institucionet zgjedhore të shtetit të Kosovës nuk do të duhej të certifikojnë asnjëherë më partinë Lista serbe e as lidershipin e saj në ndonjë parti me emër tjetër”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Jo zgjedhje pa sigurimin e kufijve me Serbinë; Lista Serbe të mos certifikohet më.
Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, Vuçiqi dhe Lista kriminale Serbe ka humbur të drejtën dhe peshën e deklaratave në emër të serbëve të Kosovës, të cilët as nuk i përfaqësojnë më, e as nuk besoj se tash e tutje do të mund të certifikoheshin të marrin pjesë në zgjedhje. Institucionet zgjedhore të shtetit të Kosovës nuk do të duhej të certifikojnë asnjëherë më partinë Lista serbe e as lidershipin e saj në ndonjë parti me emër tjetër.
Për më tepër, në komunat veriore ende ekziston rreziku i përsëritjes së krimit të agresionit të 24 shtatorit të organizuar nga aparati shtetëror serb dhe të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe bandat e saj kriminale në veri – andaj nuk ka kushte për zgjedhje ende.
Kosova tash e tutje do të duhej të insistojë në rendin kronologjik e logjik të veprimeve për të krijuar parakushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e territorit të saj – së pari duke siguruar kufijtë e saj shtetërorë përmes funksionalizimit të 6 pikave kufitare me Serbinë (marrëveshja e IBM-it), pastaj sigurimi i lirisë së lëvizjes në pjesën veriore të Kosovës duke hapur për qarkullim të përgjithshëm Urën e Ibrit, dhe poashtu ç’armatosjen dhe shuarjen e bandave kriminale që veprojnë atje. Pa këto tri parakushte – nuk ka logjikë të mbahen zgjedhjet sa për sy e faqe – të cilat nuk do t’a përmirësonin gjendjen, por do t’i rilegjitimonin kriminelët në institucione dhe pozita vendimmarrëse.
Është poashtu shumë shqetësuese se ne ende nuk kemi parë bashkësinë ndërkombëtare dhe NATO-n duke dënuar dhe kategorizuar sulmin e 24 shtatorit si krim agresioni i Serbisë ndaj Kosovës – dhe dyshoj se i gjithë hetimi dhe klasifikimi ndërkombëtar i ngjarjes po bëhet nën trysninë e mosrrezikimit të dialogut (tashmë të dështuar). Institucionet tona do të duhej të punojnë pa rreshtur për të bindur SHBA-të të marrin lidershipin e dialogut Kosovë – Serbi, dhe të përmbyllin përfundimisht këtë çështje me një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme me njohjen në qendër – siç ka qenë para planit franko-gjerman.
/TV Malisheva