Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për helmimin e 140 personave në Malishevë.
Në njoftim thuhet se prokuroria ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj të pandehurit K.Sh., në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
I njëjti gjendet nën masën e ndalimit për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri K.SH, ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndryshe, edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë të shtunën se gjendja e të helmuarve një ditë më parë në Komunën e Malishevës është stabile.
Ministri Vitia ka thënë se 11 qytetarë janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe nëntë tjerë janë në shtirë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.