ORCA thotë se ka pranuar me shqetësim propozimin e Ramë Likajt të AAK-së për emërim si Ministër i Arsimit. ORCA konsideron se ky propozim është i dëmshëm për arsimin në Kosovë në përgjithësi dhe për arsimin e lartë në veçanti.
Sipas ORCA-s Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
:Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Ramë Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysmë, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit. Së bashku me 7 profesorë të tjerë Likaj është avancuar përmes punimeve në revista fallce të cilat u kanë mundësuar atyre që përmes mashtrimeve akademike të fryjnë numrin e punimeve. ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës. Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve përfshirë dhe Ramë Likajn, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme”.
“Për më tepër, një vit më vonë në vitin 2019 platforma indeksuese SCOPUS i ka përjashtuar revistat që i kanë publikuar këto punime pasi ORCA i ka denoncuar ato revista edhe në SCOPUS. Pra nuk ka dyshim se punimet e kandidatit për ministër ishin mashtruese dhe se avancimi i tij është jomeritor. ORCA e sheh këtë emërim potencial si sulm direkt mbi cilësinë në arsim në Kosovë. ORCA do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar dhe luftuar një sulm të tillë duke përdorur të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, thotë ORCA./ Tv Malisheva