Ashtu siç pritej, tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të sulmit terrorist të një grupi të armatosur nga shteti fqinj me 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, pashmangshëm që u reflektuan në Samitin e Berlinit që po mbahet sot në Tiranë. 

Ndonëse Edi Rama deklaroi se ky forum nuk është adekuat për të adresuar raportet bilaterale ndërmjet shteteve, megjithatë shumica e liderëve të shteteve perëndimore dhe përfaqësues nga institucionet e Bashkimit Evropian nuk lanë pa i potencuar këto tensione, edhe përkundër faktit se tema kryesore e këtij samiti ka të bëj me planin e ri të BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor me qëllim integrimin e rajonit në një treg të përbashkët evropian.

Ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Ursuyla von der Layen e cila deklaroi dje një ditë para nisjes së Samitit se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tryezën e dialogut. Sipas saj “marrëveshja e Ohrit është baza, themeli për pajtimin përmes dialogut të BE-së. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e normalizimit e marrëdhënieve. Kjo është e vetmja mënyrë, përmes angazhimi, dialogut, sepse kjo është rruga e duhur evropiane për të ardhmen”.

Po ashtu, për këto tensione sot ka folur edhe kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz. Në fjalën e tij para të pranishmëve të ai pohoi se “Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar sa e rëndësishme është të flasim me një zë evropian. Siç e përmendët edhe ju, është shumë e qartë se ne jemi të ulur këtu bashkë kemi një situatë të vështirë jo shumë larg nesh me agresionin e Hamasit kundër Izraelit. Me të gjitha pasojat, por edhe krizat në Kosovë në Ballkan kanë theksuar nevojën për të punuar më fortë së bashku. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet, dhe ju mbajnë në vend-numëro. Këto përshkallëzime në veri kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Duhet të përfundojmë zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në BE. Është sinjal i fortë dhe kjo thekson pronësinë që ka rajoni në këtë proces. Duhet ta shfrytëzojmë këtë rast për t’u përqendruar te integrimi brenda rajonit dhe ecuria më tutje”

Korit të zyrtarëve të lartë të Bashkimit të Evropian që kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe rikthim të Kosovës dhe Serbisë në dialog i është bashkuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i cili ka deklaruar se “Ne duam t’ju mbështesim që të keni sukses. Nuk mund të lëmë konfliktet dy-palëshe të na mbajnë peng. Zgjidhja e tyre mund të jetë më e dhimbshme se reformat por duhet bërë. Mos i lini fantazmat e së shkuarës t’ju vjedhin të ardhmen. Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës e kanë sjellë sërish këtë në vend të parë. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa pajtim dhe të gjithë e dimë që pajtimi kërkon kurajë politike dhe fokus tek e ardhmja. Kjo do të jetë fryma për Samitin që do të zhvillohet në Bruksel”.

Mbetet të shihet se sa do të kenë sukses këto thirrje për rifillim të dialogut në Bruksel. Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se do ta adresojë në këtë Samit sulmin e fundit të Serbisë mbi Kosovën si dhe nuk mund të ketë rikthim në të njëjtin format të bisedimeve pas këtij agresioni. Po ashtu edhe Presidentja e vendit Vjosa Osmani e ka përsëritur në vazhdimësi qëndrimin e saj se pa sanksionim ndërkombëtar të Serbisë nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë.

/TV Malisheva

Share.