Policia e Kosovës (PK), ka reaguar ndaj qarkullimit dhe shpërndarjes nëpër e-maila të ndryshëm të një dokumenti të falsifikuar me informacione të ndryshme, që kinse i përket Policisë së Kosovës dhe kinse është lëshuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtarë të lëshuar në emër të PK-së, i cili përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vula të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL-it, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për veprime ligjore, nuk është dokument zyrtar i Policisë së Kosovës, e aq më pak i lëshuara nga drejtori i PK-së, por janë e-maila me dokument të falsifikuar për përdorim me qëllime të caktuara”, njofton Policia e Kosovës.

Në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, policia thotë se janë përdorur informacione dhe logo të ndryshme, por që thotë se nuk është dokument zyrtar e as nuk përmban informacione zyrtare, nuk është formati dhe shkrimi zyrtar i PK-së, si dhe nuk është lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumentit të tillë, ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”.

Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve të tilla.

/TV Malisheva

Share.