“Prishtina Parking” ka njoftuar se të premten që shkoi një person ka sulmuar punëtorin e kësaj kompanie, ndërsa thanë se personi i dyshuar për sulmin është lënë i lirë nga institucionet ligjzbatuese.

“Për këtë sulm janë njoftuar Policia e Kosovës, si dhe u janë ofruar pamjet të cilat në mënyrë tejet të qartë paraqesin sjelljen tejet korrekte dhe profesionale të zyrtarëve tanë ndaj qytetarit në fjalë, e po ashtu paraqesin sulmin brutal dhe të paprovokuar nga qytetari ndaj zyrtarit të N.P.L. “Prishtina Parking”. Megjithatë është tejet e çuditshme dhe shqetësuese se përkundër pamjeve dhe raportimit të rastit nga zyrtarët e sulmuar, institucionet ligjzbatuese kanë lënë të lirë sulmuesin”, deklaroi kjo kompani.

Të njëjtit theksuan se janë të zhgënjyer që sulmuesi u lirua.

“Jemi të indinjuar nga ky sulm, e po ashtu nga reagimi i institucioneve përgjegjëse, sidomos për faktin se zyrtari ynë ka qenë duke e kryer detyrën”.

“Prishtina Parking” apeluan që sulmuesi të marrë dënimin e merituar, dhe organet e rendit të mos jenë tolerantë ndaj ngjarjeve të tilla.

“Prishtina Parking” thekson se zyrtari i tyre u sulmua në momentin kur ishte duke kontrolluar në zonën në të cilën lejohet parkimi vetëm për banorët rezidentë.

/TV Malisheva

Share.