Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion ditën e hënë në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë.

Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se një person derisa ka qenë duke mbledhë hekurina në një vend ku hidhen mbeturinat ka gjetur një armë zjarri dhe mjete shpërthyese.

Pas informatës nga qytetari, policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku edhe ka sekuestruar armë tjera dhe municion, transmeton Telegrafi.

“Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes në të cilin vend janë gjetur: një pushkë automatike AK-47, një pushkë gjysmë automatike, tre karikatorë, 360 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 4 granata dore dhe një tromblon. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë relevante të FSK-së dhe KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Mjetet shpërthyese janë tërheqë nga njësiti i FSK-së, kurse armët dhe municioni janë tërheqë nga njësitë policore.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e rastit dhe vazhdon të hetohet.

Prelluzha është fshati i banuar nga serbët.

Ndryshe, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në veri, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, policia ka vazhduar me bastisje në disa lokacione në veri ku edhe ka sekuestruar sasi të madhe të armatimit dhe municionit.

/TV Malisheva

Share.