Përderisa sot në Tiranë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se janë pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën, njohësi i politikës vendore, Gazmir Raci tha se kjo mund të jetë vetëm një presion politik.

Raci në një prononcim për Telegrafin tha se këto qëndrime janë kontradiktore nga ajo që u diskutua të hënën në Samitin e Berlinit.

“Mendoj që është qëndrim kontradiktor me Samitin e procesit të Berlinit, që u mbajt dje në Tiranë. Në Tiranë u fol për bisedime evropiane për Ballkanin Perëndimor ku bën pjesë dhe Kosova. Nga aspekti juridik e kam të paqartë se si mund të përfundohet një vendim i tillë kur për vizat janë nxjerr rregullore. Ka shumë paqartësi. Ka mundësi që kjo të jetë një presion politik, për shkak se të shtunën do të vijnë emisarët për dialogun e Brukselit dhe ndoshta Macron e ka përdoru një metodologji të tij të punës për të bërë presion politik, publik ndaj Kosovës e që për mendimin tim është e habitshme sepse më 24 shtator Kosova përjetoi një sulm terrorist nga ana e Serbisë”, ka thënë Raci.

Sipas tij, vizita që ia bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të hënën Pekinit, është e pakuptueshme. Ai tha se “Vuçiqi do duhej të ishte në Samitin e Berlinit në Tiranë”.

“E Serbia në asnjë moment nuk ndëshkohet e as nuk qortohet, e në anën tjetër presidenti Vuçiq në vend që të ishte në Samitin e Berlinit ka shkuar në Pekin. Ka shumë paqartësi në këtë drejtim”, ka thënë Raci.

Ai po ashtu tha se Franca nuk mundet t’i suspendoj vizat për Kosovën.

Njohësi i politikës vendore u shpreh se nuk është koha për panik pasi siç theksoi ai liberalizimi nuk ka filluar.

“Mundet vetëm ta iniciojë një gjë të tillë në muajin mars 2024 dhe atë për shkelje të rregullave të Schengen e JO për qejfe politike. Nuk është koha për panik sepse liberalizimi nuk ka filluar. Pasi që fillon shtetet anëtare mund të inicojnë pezullim të liberalizimin pas një vlerësimi profesional se a janë respektuar kushtet ose jo nga shteti përfitues. BE-ja mund të pezullojë heqjen e vizave ose marrëveshjet për lehtësimin e vizave nëse shkelen kushtet e marrëveshjes”.

/TV Malisheva

Share.