Një rrahje u raportua të mërkurën se ka ndodhur një ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Policia njoftoi se është arrestuar një person pasi ka sulmuar fizikisht një tjetër, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“QKUK- Prishtinë 17.10.2023-14:20 Është arrestuar i dyshuari mashkull nga Kosova pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën mashkull nga Kosova. Si pasojë e sulmit fizik viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në raportin policor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, bëri të ditur se i dyshuari është punonjës në QKUK.

Ndërsa, burimet mësuan se edhe viktima është punonjës në këtë institucion, ndërsa shkaqet dhe rrethanat e rastit mbesin ende të paqarta.

“Ju njoftojmë se gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar është ndaluar një person (punonjës në QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’, sipas KPRK-së”, tha Ulaj.

Ajo tutje shtoi se lidhur me këtë rast janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me institucionet relevante.

/TV Malisheva

Share.