Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nxjerr vendim për kompensim të kujdestarisë së specializantëve të QKUK-së. Vendim ky që bëri të anulohet protesta e paralajmëruar nga këta të fundit, lidhur me pakënaqësitë e tyre për pagesa.
Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se përgatitja e aneks kontratave pritet të finalizohet gjatë kësaj jave, që sipas tyre të adresohet çështja e specializantëve, me vetëfinancim mbështetur në vendimin për kompensim të kujdestarive.
“Me qëllim të adresimit të pagesës së kujdestarive, Ministri i Shëndetësisë ka nxjerr vendim për kompensim, ku kjo çështje do të rregullohet me kontratë. Përgatitja e aneks kontratave pritet të finalizohet gjatë kësaj jave në mënyrë që të adresohet çështja e specializantëve me vetë financim mbështetur në vendimin e lartpërmendur” thotë MSH-ja.
Ndërkaq, përfaqësuesi i specializantëve, Arianit Zajmi ka thënë gjatë ditës se protesta e paralajmëruar për sot (e mërkurë) është anuluar, pas bisedës me ministrin Vitia i cili u kishte thënë se pagesat për kujdestaritë e mbajtura nga muaji shkurt, sipas tij nuk ka ligj që Ministria e Shëndetësisë mund t’i kompensojë ato.
Zajmi shtoi se sa i përket vendimit për të paguar nga 500 euro për vit për specializim, Vitia ka thënë se nëse ekspertët ligjor mund të argumentojnë se një gjë e tillë mund të anulohet apo ndryshohet, do të shikon mundësitë për rishqyrtim.
Po ashtu, lidhur me kërkesën e tyre për kujdestari, Zajmi tha se ministri Vitia u ka premtuar se në fund të muajit tetor apo në fillim të muajit nëntor do t’i pajisini specializantët me aneks kontrata. Ai beson që këto aneks kontrata do të jenë në proporcion me Ligjin e ri të pagave.
Ndërkaq, specializantët protestën e filluan që javën e kaluar, për të vazhduar edhe këtë javë. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mos pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të pagave si dhe mos pagesën e kujdestarive me subvencione prej muajit shkurt.
Ata gjatë javës së kaluar protestuan për mos pagesën e kujdestarive prej muajit shkurt dhe kundër detyrimit për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit./kp/
/TV Malisheva