Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, i pandehur në rastin e vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është liruar nga masa e paraburgimit.
Atij i është caktuar masa e dorëzanisë në shumë prej 100 mijë euro, para të cilat detyrohet t’i dorëzoj në arkën e Gjykatës së Prishtinës.
Sipas aktvendimit që ka siguruar KALLXO.com, Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të datës 13 tetor të këtij viti për vazhdimin e masës së paraburgimit, përderisa ka aprovuar propozimin për dorëzani.
“Aprovohet propozimi i mbrojtësit të të pandehurit, avokat Ramë Dreshaj për zëvendësimin e masës së paraburgimit në masën e dorëzanisë” – thuhet në aktvendim.
Tutje është thënë se “Lizës” i është ndërprerë masa e paraburgimit para dy ditëve, më 16 tetor 2023, dhe ndaj tij është caktuar masa e dorëzanisë në shumë prej 100 mijë euro.
Gjykata ka paralajmëruar të pandehurin se do ta paraburgosë dhe dorëzanin do t’ia heq, nëse ai, pas thirrjes me rregull, nuk paraqitet dhe mungesën nuk e arsyeton. Po ashtu, nëse ai përgatitet të ikë ose kur gjatë kohës sa është në liri paraqiten arsye të tjera ligjore për paraburgimin e tij.
Diçka e njëjtë mund të ndodhë edhe nëse “Liza” braktis vendbanimin ose vendqëndrimin e tij sipas adresës që ka, pa lejen e gjykatës.
Akuza e Prokurorisë Speciale që është ngritur ndaj Enver Sekiraqës, pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga vet Sekiraqa, e që ky i fundit Berishën e kishte njeri të besueshëm.
Po ashtu aktakuza pretendon se Arben Berisha privimin nga jeta të Rizës e kishte bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahun dhe me Fitim Avdiun.