Parlamenti Evropian do të diskutojë këtë të enjte për pesë draft-rezoluta të ndryshme lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Në katër prej dokumenteve kërkohet që Serbia të mbahet përgjegjëse për atë që ndodhi dhe të vendosen masa ndëshkuese ndaj këtij shteti. Gjithashtu u bëhet thirrje palëve që të rikthehen në procesin e dialogut.
Rezolutat e eurodeputetëve të grupeve parlamentare dënojnë ashpër ngjarjen e rëndë të ndodhur më 24 shtator ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa kërkojnë që autorët të vihen përpara përgjegjësisë.
Më e ashpër është rezoluta e paraqitura nga dy eurodeputetët e grupit socialdemokrat Tonino Pikula dhe Pedro Markes.
Ky grup kërkon që të theksohet se përgjegjëse për këtë ngjarje është Serbia.
“Parlamenti i bën thirrje BE-së që të veprojë si ndërmjetës i ndershëm në procesin e normalizimit dhe të ndryshojë urgjentisht politikën e saj zbutëse ndaj Serbisë. Shpreh keqardhje për masat negative që Këshilli ka marrë kundër Kosovës dhe bën thirrje që ato të hiqen menjëherë; thekson rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për rolin e saj në sulmin e 24 Shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa negative kundër Serbisë”.
Ndërsa rezoluta tjetër e grupit më të madh parlamentar të Partive Popullore Evropiane përpos dënimit të sulmit terrorist kërkon dënimin e Serbisë, por vetëm nëse vërtetohet se janë pas ngjarjes në Banjskë.
“I bën thirrje BE-së që të vendosë masa kufizuese ndaj udhëheqjes serbe, nëse konfirmohet përfshirja e saj në sulmin në Banjska ose ndonjë veprim apo qëndrim i dënuar i lartpërmendur”.
Në bllok të pesë grupet e eurodeputetëve kërkojnë nisjen e urgjente të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, zbatimin e Marrëveshjes së OHRIT, zgjedhje të reja në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
/TV Malisheva