Dy qytetarë nga Kosova kanë vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në “Rrugën e Kombit”.

Lidhur me rastin është arrestuar një person, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.

48-vjeçari A.B, nga Tirana e ka humbur kontrollin me veturën e tij të tipit “Mercedes Benz”, duke goditur veturën Ford dhe autobotin Man.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Njësisë për Sigurisë Rrugore të Autostradës “Tuneli i Kalimashit-Morinë”, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për aksidentin e ndodhur pasditën e djeshme, në tunelin e Kalimashit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. B., 48 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në tunelin e Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin S. O. dhe autobotin tip “MAN” me drejtues shtetasin Sh. S.

Nga ky aksident humbën jetën drejtuesi i automjetit tip “Ford”, shtetasi S. O., dhe pasagjeri në këtë automjet, shtetasi N. O., të dy banues në Kosovë. Gjithashtu, nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi A. B., pasagjerja në këtë automjet, shtetasja K. B., 26 vjeçe dhe pasagjeri tjetër në automjetin tip “Ford”, shtetasi I. L., 44 vjeç.

(Në informacionin paraprak të ditës së djeshme, është dhënë se drejtuesi i automjetit tip “Ford” ishte shtetasi I. L., por nga veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se drejtuesi i këtij automjeti ishte shtetasi S. O.).

/TV Malisheva

Share.