Ditën e sotme është publikuar një video ku shihet mësuesi nga Dragashi, Dalip Meleqi duke ushtruar dhunë fizike e sjellje jo etike ndaj një nxënëse të shkollës fillore “Ilmi Bahtijari” në Bllaç të kësaj komune. Por, mësuesi Meleqi nuk shpëtoi paq për sjelljet e tij.
Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë vitin e kaluar me dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “hakmarrje”.
Por, çfarë thuhet më saktësisht në këtë aktakuzë dhe çka thonë dëshmitarët?
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se me 13 maj të 2022’ës, mësuesi Dalip Meleqi kishte marrë rrypin e pantallonave të nxënësitme inicialet R.I dhe i kishte goditur nxënësit në duar. Ndërsa, kur njëra nga nxënëset kishte tentuar të mos i bindej, Meleqi i kishte thënë se “nëse nuk e mbani dorën e hani shpinës” , duke vazhduar kështu ti godas edhe më fortë tri nxënëse.
Kështu nga goditjet Meleqi i kishte shkaktuar lëndime trupore nxënëses F.Z.
“Më pas me forcë fillon t’ i godasë tri të dëmtuarat me nga dy goditje në duar, duke i shkaktuar dhembje fizike, frikë dhe fyerje të rëndë të dinjitetit, të cilat keqtrajtime tek e dëmtuara F.Z rezultojnë me lëndime të lehta trupore, përkatësisht ndrydhje të indeve të buta të parakrahut të majtë, të shoqëruara me gërvishtje të lëkurës, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë të topitur, me teh ose maje“, thuhet në aktakuzë.
Vetëm pesë ditë më vonë, me 17 maj 2023 në ShFMU “Hilmi Bahtijari”, mësuesi Meleqi me qëllim të hakmarrjes ndaj dy nxënësve që e raportuan në polici, në prani të të gjithë nxënësve të tjerë i fyen rëndë dhe ia mbyllë notat të dobëta në ditar dy nxënësve me inicialet F.Z dhe S.Z.
“Në mundësinë e parë që paraqiten në lëndën e Matematikës të cilën e mbanë i pandehuri/arsimtari Dalip Meleqi, i njëjti fillimisht në prani të gjithë nxënësve të klasës i fyen me fjalët “baba i kësaj (të dëmtuarës ) u kanë ma zero se zero, dërrasë (e godet tabelën), qetaj ka ardhë qika e atij ngelcit….. po me nxjerr në polici del ankohet atje, ta ndreqin dorën atje, a e ki në gips, a u kanë e djathta a e majta.. Babat kurrë s’ju kanë ditë, ngelca janë kanë (qeshet) edhe nanat me siguri”, pastaj në shenjë hakmarrje i drejtohet të dëmtuarave me fjalët “a keni mësu” ndërhynë një nxënëse “a don me ja’u qitë 1-sha”, i pandehuri përgjigjet “për këto ekstra, se këto janë vashat e milicisë, pe pa mundësojnë punën, mjerë këto i kanë qelë vetes telashe”“, thuhet tutje në aktakuzë.
Deklaratat e nxënëseve:
Në dokumentin e siguruar nga Insajderi thuhet se nxënësja me inicialet F.Z kishte marr trajtim mjekësor fillimisht në QKMF në Dragash, e pastaj ka vazhduar edhe në Spitalin e Prizrenit, me çka pos aspektit psiçik e njëjta kishte pësuar edhe lëndime të lehta trupore.
Përveç rrahjes me rryp, sipas nxënëses mësuesi Meleqi për tri vite rresht kishte ushtruar dhunë ndaj nxënësve duke i rrahur me shuplaka, vizore, kompas.
“E dëmtuara ka deklaruar se që 3 vite ky arsimtar i jep mësim dhe gjatë gjithë kohës në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve duke i rrahur me shuplaka, vizore, kompas të cilat janë mjete për ligjërimin e orës së matematikës, mirëpo për ato raste nuk e kishin njoftuar drejtorinë ngase ishin frikësuar nga arsimtari. Edhe për këtë rast e dëmtuara nuk e kishte njoftuar askë, të nesërmen kur ishte zgjuar në mëngjes prindi i kishte vërejtur shenjat në duar dhe e kishte pyetur se çfarë kishte ndodhur, atëherë i kishte treguar se i kishte rrahur arsimtari Dalip“, thuhet në aktakuzë.
Ndërsa, nxënësja tjetër me inicialet S.Z deklaroi se i pandehuri në fjalë ia kishte mbyllur notën 1 ndonëse kishte dhënë përgjigje të saktë.
“E dëmtuara, ka deklaruar edhe për hakmarrjen që i është bërë nga arsimtari pas raportimit të rastit në polici “sapo e kam raportuar këtë rast në polici më datë 14.05.2022, me datë 16.05.2022 (ditë e hëne) ka qenë dita e shkollës dhe nuk kemi punuar ndërsa me datë 17.05.2022 (ditë e marte), arsimtari menjëherë më ka qit në dërrasë të zezë mi ka parashtruar dy pyetje – detyra për të cilat mendoj që kam dhënë përgjigje të saktë, mirëpo atë ditë ma ka mbyllur notën e dobët“, thuhet në aktakuzë.
Tutje, nxënësi me inicialet R.I tregon se si ia kishte marr rrypin nga pantallonat mësuesi Meleqi, derisa tregoi se disa herëi kishte rrahur me shuplaka.
“Në grupin prej 6 djemve kam qenë edhe unë, ne e përsëritëm aq sa ditëm, na tha nuk po dini dhe na preku me shuplakë në qafë dhe ne vazhduam për në bankat tona, pastaj i ka qitë në tabelë 3 vajza dhe 2 djem, i pyeti edhe ata me aq sa ditën folën dhe arsimtari erdhi tek banka ime ku isha i ulur në fund të klasës në rreshtin e parë nga ana e majtë në bankën e fundit dhe më tha “ma jep rripin” unë e kisha rripin të vendosura në pantallona, unë thash “pse”, ai më tha “ma jep” dhe unë nuk kisha zgjidhje tjetër ja dhashë dhe me rripin tim i ka goditur nxënësit“, thuhet më tej.
Deklarata e të pandehurit Dalip Meleqi:
Por, i pandehuri Dalip Meleqi, në deklaratën e dhënë në prokurori kishte mohuar se t’ i ketë shkaktuar lëndime trupore nxënëses F.Z, duke pretenduar se goditjet kanë qenë të lehta.
Meleqi kishte deklaruar se vetëm i kishte prekur pas qafe sa për t’i qortuar nxënësit, derisa shtoi se ia kishte mbyllur notat e dobëta dy nxënëseve për shkak të raportimit në polici dhe në media.
“I njëjti ka qenë gjatë gjithë kohës kundërthënës me deklaratën e tij personale duke u mudnuar t’i shmanget përgjegjësisë penale dhe për notat e dobëta ka deklaruar “sapo kam shkuar në shkollë pasi që kisha në orar të mbaja lëndën e matematikës, dy nxënëset Selma dhe Fatime Zejnullahu i kam thënë “hajde dilni të pyeteni në dërrasë të zezë sepse po dishi me fol e me dhanë intervista, hajde të ju shoh sa jeni në mësime”, pasi i kam pyet të dyjave ua kam vënë notën e dobët madje jam bërë i ashpër dhe ja kam mbyllur notat e dobëta përfundimtare. Këtë e kam bërë në bazë të emrave sepse ka ndikuar ngjarja sepse ato më raportuan në polici dhe media dhe nuk e di se si nuk ju ka ardhur marre”,
I ballafaquar nga prokurori i shtetit me prova materiale, me audio-incizime nga ora mësimore, ai pranoi në tërësi duke deklaruar “Po unë jam personi që po flet“.
/TV Malisheva