Qytetarët e një pjese të Prishtinës u informuan mbrëmë me anë të një komunikate nga Kompania rajonale Ujësjellësi Prishtina se në bazë të një “njoftimi të pranuar nga IKSHPK dhe kontrollet e cilësisë nga KRU Prishtina se është gjetur një sasi më e madhe e elementit kimikt të Manganit në burimin ujit (Liqeni i Badovcit), duke rekomanduar që banorët që furnizohen nga ky burim të mos e konsumojnë atë si për pije ashtu edhe për gatim”.

Mirëpo në këtë komunikatë zyrtare nuk jepet ndonjë informatë më e detajuar lidhur me shkaqet që kanë ndikuar në këtë prezencë të palejuar të Manganit në ujin pijes.

Aty vetëm thuhet tutje se “gjatë kësaj jave departamenti i cilësisë se ujit ne KRU” Prishtina” ka punuar ngushtë me stafin e Impiantit te Trajtimit te Ujit për pije ne Badovc, duke ulur sasinë e trajtimit nga një kapacitet Q=460-480 l/s ne Q = 180-200 l/s, duke respektuar rekomandimet e departamentit dhe IKSHPK.

Gjatë marrjes së mostrave ditën e sotme në vepren e marrjes në liqe, është vënë re se kemi përmirësim në cilësi të ujit në burim dhe duke parë këtë gjendje, menaxhmenti ka marrë vendim që të rrisë sasinë e ujit në trajtim, paraprakisht duke hapur shkarkuesit e linjës marrëse (Liqeni Badovc – SP Badovc). Kjo ka ndikuar qe të kemi mundësi për sasi me të madhe në trajtim, duke mbajtur cilësinë afër standardit – pragut të lejuar për prezencë Mangani”.

Pra nuk ka shpjegime se kjo sasi a është si rezultat i vetvetishëm i proceseve të brendshme “ekologjike”, apo rezultat i faktorëve të jashtëm të panjohur deri më tani? Shpjegimi dhe informimi i duhur i qytetarëve lidhur me këto pyetje do t’i shërbente sigurisë së përgjithshme të publikut.

Sipas shpjegimeve të përgjithshme publike thuhet se “Mangani është një element kimik më simbol Mn dhe numër atomik 25. Nuk gjendet i lirë në natyrë; shpesh gjendet në minerale në kombinim me hekurin. Mangani është  një metal me përdorime të rëndësishme të aliazheve metalike, veçanërisht në çelik inox”.

Hulumtimet tjera kanë treguar se ekspozimi i tepërt ndaj tij mund të ketë efekte negative veçanërisht në zhvillmini kognitiv të fëmijëve. Kurse interptime kredibile shkencore pohojnë se nuk ka logjikë që ajo sasi të jetë rezultat i “veprimeve të vetvetishme natyrore”.

Për më te tepër edhe pastrimi i ujit nga ky element nuk mund të bëhet më anë të klorit.

Ka kohë që cilësia e ujit të pijes në Kosovë është bërë shqetësim për qytetarët e Kosovës. Madje para dy viteve ishin helmuar qindra qytetarë të qytetit të Deçanit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit kishin te bënin me një dege të furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Se shteti ynë përballet me nivel jo adekuat të cilësisë së ujit të pijes konfirmohet edhe nga raporti zyrtar i Agjencisë së Mjedisit në Kosovë në “Raportin vjetor për gjendjen e mjedisit 2021” Në këtë dokument thuhet “se cilësia e ujërave sipërfaqësore në Kosovë vazhdon të jetë e ndikuar nga ndotja, që vjen si rezultat i shkarkimeve të ujërave urbane dhe industriale, hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave në lumenj, përdorimit të pesticideve dhe fertilizerëve në bujqësi, dëmtimit të shtretërve të lumenjve nga shfrytëzimi i inerteve, si dhe nga ndërtimet ilegale. Për më tepër Kosova ende nuk ka monitorim të rregullt të cilësisë së ujërave të liqeneve, dhe ujërave nëntokësore, sikurse që nuk ka as monitorim biologjik të ujërave sipërfaqësore”.

/TV Malisheva

Share.