Ish-zyrtari policor, Nebojsha Gogiq, i cili ishte i ngarkuar si shef i ndërrimit në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është liruar nga të gjitha aktakuzat. Këtë e ka bërë të ditur avokati mbrojtës, Musa Damati.

Damati ka thënë se Gogiq është i vetmi në këtë proces që është larguar nga akti akuzues, ndërsa për të gjithë të tjerët do të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor të hënën.

“Në departamentin special të Gjykatës Themelore të Prishtinës është proceduar me seancën e fundit dhënien e fjalës përfundimtare nga PSRK-ja dhe mbrojtja në rastin e aferës më të madhe të Policisë së Kosovës dhe në këtë seancë për klientin tim është tërhequr aktakuza. Janë tërhequr të gjitha akuzat të cilat kanë rënduar mbi të dhe nga dita e sotme klienti im është i vetmi në këtë proces i cili është larguar nga akti akuzues ndërsa për të gjithë të tjerët rreth 20 ish-zyrtarë policor do të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor të hënën dhe javën që vjen pritet të shpallët aktgjykimi i gjykatës kompetente lidhur me këtë çështje”, ka thënë Damati.

“Në bazë të punës profesionale të cilën e ka bërë mbrojtja gjatë gjithë këtyre viteve në bazë të provave materiale fakteve të cilat janë elaboru nga mbrojtja PSRK-ja është bindur që në raport me klientin tim nuk ekzistojnë, nuk qëndrojnë elementet të cilat do ta krijonin figurën e posaçme të veprës penale me të cilën është ngarkuar dhe në këtë kontekst PSRK-ja është tërhequr dhe tërheqja është bërë vetëm për klientin tim”, u shpreh Damati, teksa thotë se do të kërkojë edhe kompensim për këtë rast.

“Klienti im përmes avokatit tij do të vazhdojë tutje duke kërkuar kompensim për këtë çështje për arrestimin që i është bërë për qëndrimin në paraburgim dhe për maltretimet tjera gjatë këtyre viteve”, thotë Damati.

/TV Malisheva

Share.