Me afrimin e sezonit të dimrit është rritur edhe kërkesa për sigurimin e druve për ngrohje. E çmimet nuk është se kanë shënuar rritje nga vitet e kaluara, por megjithatë mbeten ende të larta për “xhepin e qytetarëve”.

Shitësi Gëzim Halili thotë se çmimi i druve sivjet është 40 deri 45 euro, varësisht prej llojit të drurit. Ndërsa shton se nuk kanë dru, aq sa kanë kërkesa për blerje.

“Drutë e bungut janë 45 euro, druri i ahut 40 euro. Interesimi i myshterinjve është shumë i madh. Nuk kemi shumë dru për me i furnizua të gjithë myshterit që janë të interesuar për të blerë dru, por ne po mundohemi me mundësit tona që i kemi me i furnizua”, tha ai.

Ky tregtar që merret me shitjen e drunjve thotë se ka ankesa nga qytetarët për vendin e shitjes, por shton se nuk kanë ndonjë vend tjetër të ushtrojnë këtë veprimtari.

“Po normal që kemi ankesa nga qytetarët , se në qytet nuk lejohet me punua po na e kemi punë dhe tjetërkund s’kemi ku me punua dhe këtu e kemi patjetër. Me qira e kemi tokën dhe na duhet me e shfrytëzua ata çka e japim qiranë , ankesa kemi por nuk kemi çka me bë edhe ata duhet me na kuptua neve”, tha ai.

Ai thotë që drunjtë i prenë nëpër fshatrat e Gollakut dhe i sigurojnë prej fillimit të pranverës, por sipas tij nuk ka drunj mjaftueshëm.

“Drutë i marrim nëpër fshatra anës Gollakut dhe kështu i sigurojmë prej fillimit të pranverës, por edhe në fshatra nuk ka dru sa duhet me pas, por me këto mundësi qysh mundemi po ja dalim”, thotë ai për Ekonomia Online.

Qytetari Remzi Robelli thotë se çmimi i drunjve nuk ka ndryshua dhe është i njëjtë si vitin e kaluar, megjithatë ankohet për çmimin e lartë.

“Ata që i shesin ju duket lirë, ndërsa na që i blejmë na duken shtrenjtë. Çmimi është si vitin e kaluar ashtu edhe sivjet, 45 euro kanë qenë vjet 45 euro janë edhe sivjet”, u shpreh ai.

Ai thotë se shitësit po mashtrojnë blerësit, ndërsa kërkon vigjilencë të qytetarëve gjatë blerjes së kësaj lënde.

“Unë që 10 vjet që blej dru është një mashtrim , metra është metër dhe na duhet me i mat vetë nuk kemi nevojë me i lan ata me na mat. Diku 90 cm i prenë drutë ata, do të thotë janë prerjet me të shkurta, por këto njëjtë kanë ekzistua edhe para dy vjetëve, thotë ai.

Por një qytetar tjetër po e brengos fakti që këta shitës po shkatërrojnë pyjet.

“Kurgja s’ka shtrenjtim në krahasim me vitin e kaluar , bile gjithkush mundohet me hijeshua mallin e vet. Ai që i blen mendon që i ka mashtrua, po krejt çka mundet me lu është 20 cm. Po këta çka po shesin valla boll keq po bëjnë se malet janë pre janë shkatërrua krejt”, thotë ai.

Ministria e Mjedisit vitin e kaluar ka marrë vendim që të heq nga përdorimi thëngjillin për ngrohje, për shkak të ndotjes së ajrit. E lëndë kryesore për djegie mbetet druri.

Share.