Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të premten se njëri nga qëllimet e sulmit të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit, gjatë të cilit u vranë rreth 1.400 njerëz, ishte që të pengohej normalizimi i mundshëm i marrëdhënieve mes Izraelit e Arabisë Saudite.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, që foli në një tubim për mbledhje të fondeve për fushatën e zgjedhjeve presidenciale, Arabia Saudite dëshironte që ta njihte Izraelin, raporton agjencia “Reuters”.

Arabia Saudite, fuqi rajonale në Lindje të Mesme dhe territor i dy faltoreve më të shenjta të Islamit, ua kishte dhënë bekimin fqinjëve të Gjirit Persik, Emirateve të Bashkuara Arabe e Bahrejnit, për vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin në vitin 2020 gjatë kohës së pushtetit të Donald Trumpit në ShBA.

Megjithatë, Riadi nuk i ka ndjekur hapat e fqinjëve, duke thënë se së pari duhet të adresohen objektivat për shtetin palestinez.

“Njëra nga arsyet pse Hamasi lëvizi drejt Izraelit… ata e ditën se unë do të ulesha me sauditët. Qëllojani çfarë! Sauditët donin ta njihnin Izraelin”- tha presidenti amerikan.

Normalizimi i mundshëm i marrëdhënieve me Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera arabe ishte prioritet i lartë për sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Riad në qershor, edhe pse ai kishte pranuar se nuk duhej të pritej progres i menjëhershëm në këtë qëllim.

Blinkeni tha në televizionin CNN më 8 tetor se “nuk do të ishte befasi që një pjesë e motivit (për sulmin) mund të ketë qenë pengimi i përpjekjeve për t’i bërë bashkë Arabinë Saudite e Izraelin”.

Bideni tha në një intervistë në televizionin CBS të dielën e kaluar se mundësia e normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve ishte “ende gjallë, do të marrë kohë”.

Izraeli u kundërpërgjigj ndaj sulmit të Hamasit me sulme ajrore në Gaza, duke vrarë mbi 4.000 njerëz, dhe ka thënë se do të veprojë për t’i liruar pengjet e rrëmbyera nga Hamasi, ndërsa këtë grup do ta shkatërrojë.

/TV Malisheva

Share.