Nga 98 projektligje të planifikuara në Programin Legjislativ, Qeveria e Kosovës ka miratuar 45 prej tyre, për nëntë muaj të vitit 2023. Për këtë mospunë të Qeverisë, kritika kanë nga shoqëria civile.

Sipas IKD-së, Qeveria Kurti nuk do të mund të arrijë as 60-përqindëshin e miratimit të projektligjeve. Nga Lëviza FOL thonë se shumica e këtyre projektligjeve nuk janë duke kaluar as në Kuvendin e Kosovës edhe pse partia në pushtet ka shumicën.

Naim Jakaj, hulumtues në IKD, tha për EO se sipas gjetjeve Qeveria e Kosovës e ka përmbushur programin legjislativ vetëm 47 për qind dhe nuk e ka kaluar as gjysmën e projektligjeve të planifikuara.

Sipas tij, nga 98 projektligjeve të planifikuara Qeveria i ka miratuara vetëm 45 prej tyre.

“Kësaj here ne kemi publikuar një raport të shkurtër mbi zbatimin e programit legjislativ për nëntë mujorin e zbatimit të agjendës legjislative nga qeveria e Kosovës për nëntë mujorin e viti 2023. Sipas gjetjeve tona rezulton se qeveria e Kosovës e ka përmbushur programin legjislativ vetëm 47 për qind. Do të thotë nuk e ka kaluar as gjysmën e projektligjeve të planifikuara. Pra fillimisht ajo e miraton një program legjislativ me vonesë një mujore me 100 projektligje të planifikuara, deri në ditën e fundit të muajit shtator ajo i parasheh 140 projektligje”.

“Sipas ndryshimeve të fundit të cilat ndodhën edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë në tetor shihet se aty u shtuan katër projektligje dhe i’u ndryshua afati i miratimit të projektligjeve 13 projektligjeve të caktuara. Sipas programit legjislativ ne shohim se 98 projektligjeve të planifikuara Qeveria i ka miratuara vetëm 45 prej tyre” tha ai.

Ai me këtë rast ka treguar edhe për numrin e miratimit të projektligjeve nga ministrit e ndryshme. Jakaj theksoi se për secilin vit Qeveria nuk e kalon as 50 për qindëshin e zbatimit të agjendës legjislative, e sipas tij, deri në fund të këtij viti Qeveria nuk do ta kaloj as 60 për qindëshin e projektligjeve të miratuar kjo për shkakun se janë në procedurë edhe përmbi 90 projektligje.

“Sipas gjetjeve tona për gjashtë mujorin e parë edhe për nëntë mujorin e këtij viti shihet se përqindja nuk ka ndërruar për as një vit. Pra secilin vit përqindja nuk e kalon 50 për qindëshin e zbatimit të agjendës legjislative. Pra është situata e njëjtë, situatë e njëjte parashihet që të bëhet edhe për këtë vit. Nuk shohim që qeveri do të mund ta kaloj 60 për qindëshin e projektligjeve të miratuar për shkak se i kanë mbetur në procedura tash edhe përmbi 90 projektligje. Si ka mundësi që qeveri 90 projektligje t’i miratoj ato të rëndësishme, ajo për kodin civil, çështjet që janë fiskale, sociale, pensionale. Ne nuk shohim që programi legjislativ mund të miratohet në atë pas sa të mbërrij ta kaloj 60 për qindëshin e miratimit të projektligjeve. Presim që shumë projektligje që nuk miratohen të kalojnë në vitin tjetër”.

Përderisa nga 46 projektligje e proceduara për në Kuvendin e Kosovës gjatë këtij viti, Kuvendi i ka miratuar vetëm 17 projektligje në lexim të dytë, ende nuk i ka miratuar 24 projektligje përkundër faktit se kanë kaluar afatet procedurale, ndërsa 5 projektligje nuk janë shqyrtuar ngase ato janë proceduar në muajin shtator.

Viona Bunjaku, nga Lëvizja FOL, tha se duke parë që shumë projektligje ende nuk kanë kaluar në lexime të parë në Kuvend, kemi të bëjmë me keq planifikim e keqmenaxhim të këtyre projektligjeve pasi ato nuk po votohen ani pse partia që është në pushtet ka shumicën në Kuvend.

Ajo shtoi se shumë projektligje janë duke u shtyre vazhdimisht nëpër seanca e po ashtu duke kaluar nga viti në vit, e që kjo sipas saj, është në dëm të madh të qytetarëve.

“Duke pasur parasysh që i kemi shumë projektligje të cilat ende nuk kanë kaluar në lexime të parë në Kuvend dhe ne po shohim që kemi të bëjmë me një keq planifikim apo një keqmenaxhim të këtyre projektligjeve për shkak se nuk po votohen ani pse qeveria, apo partia që është në pushtet ka do të thotë shumicën në Kuvend. Siç e dimë këto ligje të thjeshta kalojnë me 61 të votave të deputetëve, kështu ne po shohim që shumë projektligje janë duke stagnuar, duke mbetur në procese shumë të hershme”.

“Jemi duke parë projektligje që po shtyhen vazhdimisht nëpër seanca të tjera dhe kjo gjithsesi që ka të bëjë me keq planifikim dhe keqmenaxhim sepse shtyrja e këtyre projektligjeve edhe për një vit do të jetë në dëm të madh sidomos për qytetarët duke ditur që projektligjet bëhen për të mirën e qytetarëve”.

Bunjaku tha se rruga e duhur do të ishte që projektligjet e parapara në programin legjislativ të kryheshin në afatë dhe të mos shtoheshin projektligje të reja ku pastaj do të jetë e vështirë që ato të kalonin, raporton EO.

“Fillimisht më e duhura ose rruga më e mirë do të ishte që të kryheshin brenda afatit kohorë siç janë të paraparë edhe në programi legjislativ. Këto projektligje të cilat është dashur që të përfundojnë të paktën brenda periudhës tri vjeçare, apo brenda periudhës deri në fund të viti 2023 edhe pas saj të fillohet me programin tjetër legjislativ pra me projektligje të reja që duhet të miratohen viteve të ardhshme. Më e mira e punës është që të përfundohen projektligjet të cilat janë tashmë në planë dhe që të mos shtojmë projektligje të reja dhe të mos mund t’i përfundojmë të gjitha brenda një periudhe të caktuat kohore”.

/TV Malisheva

Share.