Të martën Gjykata Komerciale ka vendosur se punimet në rrugën A duhet të pezullohen.
Vendimi Gjykatës bazohet në atë se pronari i kompanisë që është shpërblyer me tender ishte i dënuar për falsifikim të dokumenteve. Por, këto pretendime i ka mohuar kompania përgjegjëse për ndërtimin e saj .
Në reagim thuhet se Operatori Ekonomik “Sallahu Shpk” “me pronar Lulzim Sallahu, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata kompetente, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik”.
Kompania thotë se fakt ky që dëshmohet me dokumentin si më poshtë:
“Nga faktet e prezantuara, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, pasi që në Arsyetimin e Aktvendimit shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, i ka falur besimin provave dhe të dhënave të pavërteta – të rrejshme, dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente”, deklaron kompania në këtë reagim.
Kompania thekson më tej se “këto veprime e dëmtojnë rëndë besimin në funksionim të ligjit dhe kredibilitetin e sistemit gjyqësor si institucion i pavarur, profesional dhe i paanshëm”.
“Sallahu Shpk” thotë se procedura e këtij aktiviteti të prokurimit, që nga inicimi e deri në përfundimin e saj “është zhvilluar në përputhje me parimet dhe dispozitat ligjore që i referohen Prokurimit Publik ne Kosovë, dhe se tenderi në fjalë i është nënshtruar dy komisioneve profesionale vlerësuese në të cilat kemi dalë si OE i përgjegjshëm, dhe mbi bazën e përgjegjshmërisë edhe jemi rekomanduar me Kontratë”.
Këto punime po i kryente “Sallahu”, derisa pronari i saj Naim Sallahu është i dënuar për mashtrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës vitin 2018.
Sallahu, që ishte parë në këtë ceremoni bashkë me Abdixhikun e Ramën, sipas vendimit të Themelores e që është vërtetuar edhe nga Apeli e ka të ndaluar që të marrë pjesë në prokurime publike për një periudhë 10 vjeçare- deri më 2028.
Vendimi i Gjykatës Komerciale për të pezulluar punimet në rrugën A, dje ka nxitur reagime nga LDK duke filluar nga Abdixhiku e deri të Doarsa Kica Xhelili.
Ata akuzuan VV-në për ndërhyrje në drejtësi.
/TV Malisheva