Policia Rajonale e Komunakacionit në Ferizaj,të premten në mesditë, në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, në fshatin Rakaj të Ferizajt ka ndaluar personin V.S (M/K) i moshës 19 vjeçar, i cili ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 138 km/h, ndërsa gjatë kontrollimit të dokumentacionit, i njëjti po drejtonte veturën pa patentë shofer.
“Ndaj tij, policia inicioj një fletëparaqitje për gjykatë, divizionin për kundërvajtje, ndërsa personin e përjashtoi nga komunikacioni”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit.
“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital-Lajmëro Policinë”, thuhet në njoftim.
/TV Malisheva