Vëllaznimi ka shënuar fitoren e parë në këtë edicion të Prince Caffe Superligës. Kuqezinjtë me përmbysje kanë mundur Golden Eagle Yllin me rezultat 64:61 (7:13, 12:21, 26:21, 19:6).
Çereku i parë u karakterizua me shumë gabime nga të dy skuadrat, sidomos me gjuajtje të pasakta, por pranë rezultatit 7:4, mysafirët hynë në një seri prej 0:9 dhe e fitojnë çerekun e parë 7:13. Therandasit vazhduan me lojë të mirë dhe arritën të kishin epërsi të dyfishtë 17:34, derisa pjesa e parë përfundon 19:34.
Këndellja e vendasve filloi në periudhën e tretë, kur zbutën epërsinë e therandasve, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 45:55. Përmbysja e madhe ndodhi në dhjetë minutat e fundit. Kuqezinjtë me një seri të jashtëzakonshme 17:1, kalojnë për herë të parë në epërsi 56:55, e më pas ngritin epërsinë në 60:56, derisa në fund triumfojnë 64:61.
Te Vëllaznimi më i miri ishte Jordan Dallas me 13 pikë e 13 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli më i miri ishte Jan Palokaj me 14 pikë, pesë kërcime e katër asistime.
Tani të dy skuadrat kanë nga një fitore e katër humbje.
/TV Malisheva