Nga selia blu, Sali Berisha pas lajmit për arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe detyrim paraqitje për të, tha se Edi Rama ka hyrë në agoninë e tij politike.

“Edi Rama ka hyrë në agoninë e tij politike. Ai i tronditur gjer në palcë nga krimet e tij dhe aferat në të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton. Rama ka humbur mandatin e deputeti me tenderat që ka fituar thjeshtra e tij me kompaninë e saj, me tenderat që ka fituar burri i motrës së Linda Ramës, apo me implikimin e saj në bordet e Ramës”.

“Ai nuk është më deputet i Republikës së Shqipërisë. Ai ka grabitur votën e shqiptarëve, dhe u damkos nga qytetarët e Kosovës si vllau i Vuçiqit, si argat i Beogradit, dhe pas fillimit të lëvizjes opozitare pa kthim dje në Kuvend, ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë të denoncuar publikisht për fshehje dokumentesh dhe bashkëpunim me bandat, për të lëshuar urdhër në kundërshtim me kushtetutën”.

“Zgjedhësit ndihen sot më pranë Sali Berishës se kurrë. Kufizimi për të lëvizur unë nëpër Evropë nuk mund të ndodhte pa miratimin e komisioneve parlamentare”, deklaroi tutje Berisha.

Ndryshe, Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha, u arrestua të shtunën në mbrëmje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash pas hetimeve disavjeçare lidhur me privatizimin e ish- Kompleksit Sportiv Partizani.

Për Malltezin u kërkua arrest me burg, masë e cila u zbatua në mbrëmje në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Ndërkohë ndaj vetë Berishës, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi si masë sigurie detyrimin për paraqitje pranë policisë gjyqësore si dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.

Në një konferencë për shtyp, ish-kyeministri Berisha i quajti akuzat ndaj tij si të pabaza dhe të motivuara politikisht.

Mediat vendore citojnë burime nga drejtësia, sipas të cilave është arresutar edhe Fatmir Bektashi, një prej ndërtuesve të pallateve në truallin e ish-Kompleksit sportiv Partizani.

Ligjshmëria e privatizimit të terreneve sportive të Klubit Partizani, më herët një terren në pronësi të ministrisë së mbrojtjes, po hetohet prej disa vitesh nga SPAK, nën dyshimet për korrupion të përmasave të mëdha nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish drejtues të ministrisë së mbrojtjes.

Kompleksi sportiv me 26 mijë metër katrorë, që deri në atë kohë kishte qenë pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, pas procedurave të privatizimit, që kreu qeveria Berisha gjatë dy mandateve të vitit 2005 dhe të vitit 2009.

Hetimet mbi privatizimin përmes shkeljeve të dyshuara ligjore të ish-kompleksit sportiv Partizani u nxitën më tej edhe nga një kallëzim i dorëzuar në SPAK nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme.

Ish kryeministri Sali Berisha, dhe gjithë familja e tij, ku përfshihet edhe dhëndri Malltezi, janë përcaktuar nga SHBA, si të papërshtatshëm për të vizituar Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit të lartë dhe cënimit të demokracisë.

/TV Malisheva

Share.