I pyetur nga gazetarët për dy akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij, atë të pastrimit të parave dhe korrupsionit, Sali Berisha tha se këto janë akuza të mirëfillta politike.
Ai theksoi se është i përgatitur për çdo gjë.
“Këto akuza janë akuza të mirëfillta politike, Sali Berisha është i përgatitur për çdo gjë, për kauzën e tij. Ai [Rama] vendosi diktaturën, unë do të qëndroj me të gjithë forcën time. Të akuzosh Berishën për larje parash duhet të jesh i pafytyrë. Natyrisht ata që firmosin gjëra të tilla as kanë fytyrë as kanë karakter”, ka deklaruar Berisha.
“Të akuzosh për korrupsion për një gjë që nuk ka absolutisht asgjë, përveç faktit që Jamarbër Malltezi është burri i vajzës time… Nuk kanë kapur asnjë shkelje të vetme në procesin e privatizimit, ku qëndron atëherë? Sa i përket burimeve të parave të mia ato janë të qarta transparente si drita e diellit. Kjo është bërë me porosit të plotë, me insistim të tmerrshëm të tij, ndonjëherë e angazhuar edhe Lind Rama në këtë proces. Po unë nuk merrem me gratë”, ka thënë Berisha.
I pyetur nëse i druhet burgimit, Berisha u shpreh: “Asgjëje si druhem unë, besoj se unë e kam faktuar këtë gjë. Do druhesha po të shihja që dëmtohej kauza, kjo përkundrazi ndihmon kauzën tonë”, shtoi Berisha.
Ndryshe, Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha, u arrestua të shtunën në mbrëmje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash pas hetimeve disavjeçare lidhur me privatizimin e ish- Kompleksit Sportiv Partizani.
Për Malltezin u kërkua arrest me burg, masë e cila u zbatua në mbrëmje në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Ndërkohë ndaj vetë Berishës, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi si masë sigurie detyrimin për paraqitje pranë policisë gjyqësore si dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.
Në një konferencë për shtyp, ish-kyeministri Berisha i quajti akuzat ndaj tij si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Mediat vendore citojnë burime nga drejtësia, sipas të cilave është arresutar edhe Fatmir Bektashi, një prej ndërtuesve të pallateve në truallin e ish-Kompleksit sportiv Partizani.
Ligjshmëria e privatizimit të terreneve sportive të Klubit Partizani, më herët një terren në pronësi të ministrisë së mbrojtjes, po hetohet prej disa vitesh nga SPAK, nën dyshimet për korrupion të përmasave të mëdha nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish drejtues të ministrisë së mbrojtjes.
Kompleksi sportiv me 26 mijë metër katrorë, që deri në atë kohë kishte qenë pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, pas procedurave të privatizimit, që kreu qeveria Berisha gjatë dy mandateve të vitit 2005 dhe të vitit 2009.
Hetimet mbi privatizimin përmes shkeljeve të dyshuara ligjore të ish-kompleksit sportiv Partizani u nxitën më tej edhe nga një kallëzim i dorëzuar në SPAK nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme.
Ish kryeministri Sali Berisha, dhe gjithë familja e tij, ku përfshihet edhe dhëndri Malltezi, janë përcaktuar nga SHBA, si të papërshtatshëm për të vizituar Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit të lartë dhe cënimit të demokracisë.
/TV Malisheva